Euro2024

E ardhmja e Southgate, Federata e Futbollit e sheh në krye të “Tre Luanëve” deri në Botërorin 2026

07/12/2024 19:46
nga:E K

Anglia është në finale të një kampionati europian për të dytën herë radhazi (dhe për herë të dytë në historinë e saj). Në të dyja herët “Tre Luanët” u drejtuan nga Gareth Southgate, i cili është në krye të skuadrës së Anglisë që nga viti 2016. Kanë kaluar tetë vjet që trajneri 53-vjeçar ka marrë këtë detyrë dhe sipas “The Guardian”, ai do të vazhdojë në krye të Anglisë, pavarësisht se si do të përfundojë finalja.

Gazeta në fjalë shkruan se Federata e Futbollit do të rinovojë kontratën e trajnerit, edhe nëse Anglia nuk e fiton Europianin të dielën. Kontrata e Southgate skadon në dhjetor dhe bisedimet për të ardhmen e tij janë pezulluar deri në fund të sezonit.

Trajneri ka mbështetjen e figurave kyçe të Federatës Angleze për ta drejtuar skuadrën edhe në Botërorin 2026.

Mbetet për t’u parë nëse Southgate do të dëshirojë një sfidë të re. Ishte ai që, para turneut, la mundësinë për të lënë pozicionin nëse Anglia nuk e fiton kompeticionin. Ai është kritikuar shumë nga tifozët dhe media.

Megjithatë, përpara rinovimit (ose largimit), Southgate do të përpiqet të fitojë Kampionatin e parë Evropian në historinë e Anglisë. Finalja e Euro 2024 kundër Spanjës do të zhvillohet të dielën e ardhshme, në orën 20:00, në Berlin.