Euro2024

“Portugalia ishte peng i Cristiano Ronaldos”, komentatori Berisha: Më zhgënjyen, 39 vjeçari është tepër egocentrik

07/12/2024 21:37
nga:Lorik J

Arben Berisha, komentatori i sportit në Radio Televizionin e Kosovës thotë se kombëtarja që e ka zhgënjyer më së shumti në Kampionatin Evropian është Portugalia.

Sipas Berishës, Portugalia u shndërrua në një kombëtare peng të Cristiano Ronaldos, i cili nuk po heq dorë dhe është tejet egocentrik, shkruan GazetaBlic Sport.

“Mua më ka zhgënjyer Portugalia, pasi është shndërruar në një skuadër peng të Cristiano Ronaldos, një 39 vjeçar që nuk heq dorë – tepër egocentrik, nuk heq dorë nga prania në fushë – pasi do me çdo kusht sukses. Ronaldo është legjendë e futbollit botëror, padiskutim, por ka qenë ‘helm’ CR7 në Portugali. Në finale e Euro2016, Portugalia e ka fituar vetëm pse u lëndua Ronaldo, sepse po të luante, kam përshtypjen se egocentrizmi i tij mund t’i shkaktonte telashe Portugalisë – siç e kam ditur, jo veç unë, që ai do t’i shkaktojë telashe”, tha fillimisht Berisha në “Blic Interview”.

Më pas, ai poashtu potencoi se Leao nuk ishte në nivel, teksa vlerësoi Shqipërinë si befasi pozitive, pavarësisht eliminimit.

“Një prej lojtarëve që më ka zhgënjyer është Leao i Milanit. Në aspektin pozitiv ka pasur ekipe që kanë luajtur mirë, përshembull Shqipëria që ishte në grup të vdekjes, me këtë ekip Shqipëria pa problem mund ta kalonte grupin në Euro2016. Edhe në grupin kaq të vështirë la përshtypje të mira, luftoi deri në fund, por nuk e deshti”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport