Lajme

PDK: Do t’i dërgojmë në Kushtetuese ligjet për KPK-në dhe KPM-në

07/11/2024 15:46
nga:G C

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ika thënë se këtë do e bëjnë në mënyrë që të sigurohen se po respektohet kushtetuta.

“Përpjekjet e përseritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Projektligj për KPM-në është votuar lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme.

Projektligji me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Përkundër kësaj, ai tashmë është miratuar në Kuvend, pasi pushteti e votoi me 59 vota pro, derisa dy abstenuan.

Po ashtu, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar në shqyrtim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e për KPK-në.

Deputetët me 61 vota për votuan 19 amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

Në këtë votim kanë marrë pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.