Ekziston rreziku për sulme nga Serbia, më të mëdha se ai i Banjskës i vitit të kaluar.
Kështu po deklarojnë krerët e shtetit e deputetë nga mazhoranca, duke paralajmëruar për rrezik.
Ndërsa, opozita po i sheh si deklarata për fushatë, duke thënë se në Kosovë është NATO e KFOR-i.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se qëllimi është defunksionalizimi i shteteve që janë shkëputur nga RSFJ, duke u përpjekur të formojnë “Botën serbe”.
“Situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, respektivisht në pjesën e ish bllokut të shteteve të RSFJ po dëshmon një element esencial të saj që quhet doktrinë shtetërore/informative, e instaluar përgjatë periudhës së pushtuesit dhe u riaktivizua pas viteve të 90-ta. Ku qëllimi primar mbetet defunksionalizimin e shteteve që ishin shkëputur nga RSFJ, respektivisht nga ndikimi serb ku tani kjo e fundit po përpiqet që në vatrat e krizave të brendshme shoqërore e politike sikur në BiH, Malin e Zi, MKD Veriut dhe Kosovën të paraqitet në pigmente të caktuara situata e cila është në favorin e shtetit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, ku e cila tanimë është duke u funksionalizuar në formatin politik ndërkombëtar përmes injektimit të veprimeve sikur siç ishte në Republikën Serbe të BiH, parakalimi i kadetëve të akademisë ushtarake serbe dhe veteranëve të ushtrisë së Serbisë”, thotë ai.
Shala thekson se Kosova duhet ta ndryshojë veprimet dhe analizën, duke rimodeluar proceset e brendshme të sigurisë dhe proceset politike në harmoni me interesat e SHBA-ve.
“Ballkani (ish shtet e RSFJ) duke përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë janë në targetin e Serbisë që në disa pjesë të tyre të ri-aktivizohen agjendat e fjetur të ish sistemit, përmes formave dhe mënyrave të ndryshme duke tentuar të defunksionalizohen proceset në shtetet e tyre për favorin e shtetit të Serbisë. Kosova duhet të ndryshojë trajektoren e saj në veprim dhe analizë duke ri-modeluar proceset e brendshme që ataktojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve politike në harmoni të plotë me interesat e partnerit tonë kryesor që është SHBA-ja dhe tani të vazhdohet në mënyrën e duhur duke neutralizuar rreziqet e mundshme që mund të cenohet siguria nacionale e vendit”, thekson ai për Gazeta Blic.
Eksperti vlerëson se BE ka dështuar që t’i përmbyll me marrëveshje përfundimtare vatrat e krizave.
“Ne mund të nxjerrim një konkluzion e cila ndërlidhet me faktin që BE-ja (legjislacioni dhe ekzekutivi i saj i fundit) ka dështuar që vatrat e krizave që janë më këtë gadishull t’i përmbyll me marrëveshje përfundimtare dhe që barra e përgjegjësia po i mbetet formatit të ri të BE nga ku mund të vërehet ndikimi i ideologjisë se majtë në formatin e legjislacionit e edhe ekzekutivit të ri e cila mund të prodhojë një situatë të pakëndshme, ku Kosova e BiH mund të pësojnë në rrugën e saj drejt BE dhe NATO por gjithashtu drejt forcimit të subjektivitetit të brendshëm”, deklaron ai.
Shala thotë se Mali e Maqedonia kanë qeveritë në njërën anë në politikën e Beogradit, ndërsa tentojnë të thithin fonde nga BE.
“Hiç më mirë nuk është Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ku të dy qeveritë janë në njërën anë në politikën e Beogradit e në anën tjetër duke tentuar të thithen fondet nga BE dhe Komisionet e saja por që në stabilitet kemi një vakum që po krijohet nga Politika e Beogradit (zëdhënëse) e Kremlinit zyrtar”, thotë ai.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë e gatshme për reagim në kohë.
“Kosova (institucionet të sigurisë vendore e ndërkombëtare) duhet që të ulen së bashku për harmonizimin e raporteve në mes tyre nga niveli taktik/operacional e strategjik për të qenë të gatshëm për reagim në kohë optimale duke minimizuar dëmin kolateral”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala./Gazeta Blic/


