Lajme

Temperaturat e larta/ Mjeku familjar tregon si të mbrohemi dhe kategoritë më të rrezikuara nga të nxehtët

07/10/2024 09:57
nga:N K

Mjeku i mjekësisë familjare, Rushit Ismajli, në një intervistë për GazetaBlic, ka treguar për ndikimin e temperaturave të larta në organizmin tonë në sezonën e verës dhe kategoritë më të rrezikuara me këto temperatura të larta.

“Nëse ekspozohemi në temperatura të larta dhe nga ora 10:00 deri në ora 16:00 të pasdites, ne do të kemi probleme pasi që trupi jonë avullohet shumë, qoftë përmes djersës apo avullimit të lëkurës dhe kjo pastaj bën që të kemi humbje të lëngjeve dhe rënies së shtypjes së gjakut e cila manifestohet me mundim, ndjenjën e vjelljes por mund të ketë edhe probleme me çrregullime të vetëdijes në raste shumë të rënda me raste me alivanosje dhe me humbje të vetëdijes”, tha ai.

Cilat janë masat që duhet marrë për t’u ruajtur nga temperaturat e larta?

“Të shmangen temperaturat e larta nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 të pasdites, nëse detyrohen të dalin në këtë kohë duhet vendosur ndonjë kapelë dhe të vishen me rroba të lehta me ngjyra të ndritshme pasi që ato reflektojnë rrezet e diellit, të përdoren faktorë mbrojtës kundër rrezeve ultravjollcë pasi që janë rrezik për djegie dhe për shkaktimin e kancerit të lëkurës, por në radhë të parë të marrin sasi të duhura të lëngjeve siç është uji, të çajrave pa sheqer, kjo ndihmon shumë që sasitë e lëngjeve që ne i humbim përmes djersitjes ta kompensojmë me marrjen e lëngjeve”, tha tutje Ismajli.

Mjeku familjar tregon grupmoshat të cilat janë më të rrezikuara nga temperaturat e larta.

“Një gjë duhet të kemi kujdes gjatë temperaturave të larta të gjithë jemi të ndieshëm kur qëndrojmë shumë gjatë në diell, mirëpo unë do të flisja në mëynyrë të veçantë për tri grupe të veçanta që janë më shumë të kërcënuara nga këto temperatura: Foshnjet e vogla deri në gjashtë muajshe janë më të ndjeshme, ato kur të ekspozohen në diell, dielli ka efekte shumë të dobishme do të kujdesemi që t’i vendosim nën hije, umbrellë, t’i vendosim ndonjë kapelë ose veshje të lehta. Gratë shtatëzëna të cilat përpos që janë të ndjeshme për vetveten mund që të kenë probleme me frutin e tyre, mund të kenë probleme me trurin e frutit, duhet t’i shmangen këtyre temperaturave. Grupmoshat e moshave të shtyra janë disa që kanë probleme tjera shoqëruese, kanë problem me shtypjen e gjakut, yndyrën, me sheqerin. Këto ndikojnë që enët e gjakut të sforcohen dhe qarkullimi i gjakut të mos jetë jo i duhur”, tregoi ai.

Si ndikon mungesa e Vitaminës D në ekspozim në diell për personat me mungesë të kësaj vitamine?

“Ne kemi në lëkurën tonë një vitaminë D e cila nën efektin e rrezeve të diellit shndërrohen në vitaminë D funksionale dhe shumë e dobishme që në orët e mëngjesit të ekspozojmë krahët në diell me një veshje të lehtë. Në qoftë se personat kana mungesë të vitaminës D dhe kanë humbje të lëngjeve ekspozohen direkt në rrezet ultravjollce, ata duhet t’ju shmangen orëve të mesditës. Mungesa e vitaminës D shkakton lodhje, plogështi, rënie të imunitetit. Kjo vitaminë ka rëndësi shumë në zhvillimin e imunitetir dhe të eshtrave, në qoftë se kanë mungesë ata kanë humbje të lëngjeve dhe sigurisht këta pacientë do të jenë më të atakuar nga temperaturat e larta”, përfundoi mjeku familjar, Rushit Ismajli.

/GazetaBlic/