Euro2024

Koeman: Jam krenar për këtë skuadër, në finale do të preferoja Spanjën

07/07/2024 14:25
nga:E K

Holanda u rikthye në gjysmëfinalet e Europianit pas 20 vitesh pritje, teksa kjo do të jetë hera e gjashtë që “tulipanët” do të luajnë në këtë raund.

Finalja është 90 minuta larg, teksa tashmë do të jetë përballë Anglia, por Holanda ka edhe historinë në favor, sepse të vetmin trofe të fituar e ka arritur në tokën Gjermane në edicionin e vitit 1988.

Pas ndeshjes me Turqinë, në konferencën për shtyp, trajneri Ronald Koeman u shpreh shumë i lumtur për kualifikimin në gjysmëfinale, teksa theksoi se nëse shkojnë në finale do të preferonte si kundërshtar Spanjën.

“Jemi shumë të lumtur për kualifikimin në gjysmëfinale, pasi kjo ka rëndësi. Por, ne vuajtëm ndaj Turqisë, nuk është e lehtë në një turne si ky. Lojtarët dhanë gjithçka dhe ishte me të vërtetë një ndeshje emocionale dhe ata treguan një zemër të madhe. Ndonjëherë marrim kritika, se ne nuk i kemi disa gjëra në krahasim me kombëtaret e tjera, por ne treguam se edhe kur jemi në disavantazh dimë të reagojmë, të luajmë dhe te fitojmë. Pjesa e parë ishte për t’u harruar, pastaj në pjesën e dytë bëmë pikërisht lojën tonë. Mendoj se rikthimi në gjysmëfinale do të jetë një shtysë më shumë për skuadrën dhe mendoj se për të gjithë kombin është diçka e veçantë. Ne jemi një komb i vogël dhe jemi pjesë e gjysmëfinales me Anglinë, Francën dhe Spanjën. Jemi vërtet krenarë që kemi mundësinë të luajmë për një vend në finale të mërkurën. Kë do të doja në finale? Në fillim të edicionit askush nuk mendonte se ne do të shkonim në gjysmëfinale, por ne besuam dhe ja ku jemi. Fillimisht dua të them se do të jetë një natë e mrekullueshme të mërkurën mes dy kombeve të mëdha, një natë historike. Pastaj, nëse luajmë në finale, preferenca ime është Spanja” – përfundoi trajneri Koeman.