Lajme

Zyrtari i PSD-së: Deklarimet e pushtetit për sulme nga Serbia, dashakeqe, kanë qëllim shmangien nga problemi!

07/06/2024 13:02
nga:Y I

Ditët e fundit janë shtuar paralajmërimet nga krerët e shtetit rreth mundësisë të një sulmi të Serbisë në Kosovë.

Pak ditë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se ka informacione të sakta se me qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një opinion për gazetën The New York Times ka deklaruar se Kosovës po i rriten kërcënimet e sigurisë nga ana e Serbisë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Ai ka deklaruar se Serbia nuk i ka ndalë ushtrimet provokuese as para dhe as pas sulmit terrorist të Banjskës.

E në lidhje me këto paralajmërime ka folur për “Gazeta Blic” zyrtari i PSD-së, Bardh Ahmeti.

Ahmeti u ndal tek deklarata e kryekuvendarit ,Konjufca, duke thënë se deklarata të tilla kanë funksion të dyfishtë.

Sipas tij, me deklarata të tilla, nga njëra anë nxitja e panikut se po na kanoset një rrezik nga jashtë dhe nga ana tjetër çfarëdo lloj diskutimi substancial për dështimet e kësaj qeverie nuk vihen në pikëpyetje shkaku i atij rreziku.

“Funksioni i deklarimeve të tilla nga pushteti, e së fundmi nga Konjufca, është i dyfishtë: Në njërën anë, nxitja e panikut është mundësi mobilizimi, pra, që neve po na kanoset një rrezik nga jashtë e duhet të qëndrojmë të përgatitur për tu përballur me të, e në anën tjetër, çfarëdo lloj diskutimi substancial për dështimet e kësaj qeverie në gati çdo fushë të shoqërisë demonizohen e nuk vihen në pikëpyetje shkaku i atij rreziku”

Ahmeti tha se pushteti ka dështuar  në integrimin e veriut dhe serbëve në atë pjesë dhe se është pranuar marrëveshja më e dëmshme dhe e rrezikshme deri më sot, Asociaiconi.

“Që të jemi plotësisht të qartë: Tendencën e Serbisë e kemi parasysh dhe asnjëherë nuk mund të habitemi nga apetiti dhe pretendimet e saja për Kosovën. Por, sa herë që flitet për rrezik, e në ndërkohë ai rrezik nuk ndodh, ne humbasim mundësinë të merremi me çështjet që na preukopojnë. Në këtë rast, ky pushtet, ka dështuar totalisht në integrimin e veriut e të serbëve atje dhe ka pranuar marrëveshjen më të dëmshme e të rrezikshme politike deri më sot, atë të Asociacionit, i cili tashmë është bërë obligim në cilindo forum ndërkombëtar që Kosova tenton të anëtarësohet”

Zyrtari i PSD-së potencoi se deklarata të tilla janë dashakeqe dhe kanë si qëllim shmangien nga problemi.

“Deklarimet e pushtetit janë dashakeqe dhe qëllim kanë shmangien nga problemi. Ne nuk duhet të jemi pre e grackës së tyre. Në vend të saj, kërkesa e jonë duhet të jetë ajo e paqes së përhershme e zgjidhjes përfundimtare tek e cila ky pushtet ka dështuar totalisht” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”

Bardh Ahmeti, PSD

Edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se mbi 700 serbë po kryejnë stërvitje ushtarake në kufi me Kosovën dhe se besohet se po presin një urdhër për të hyrë në Kosovë.

“Ne jemi mësuar të kemi reagime të tilla nga Serbia, e cila po mundohet të justifikojë angazhimet e saj serioze në kufi me Kosovën, veçanërisht në mbështetjen e grupeve të cilat i kemi përmendur edhe më parë, dhe tani kemi deklarime të institucioneve në Kosovë që po stërviten, po kryejnë ushtrime ushtarake afër kufirit me Kosovën, ku besohet se janë mbi 700 persona, të cilët mendohen se po presin një urdhër nga Beogradi zyrtar për të shkruar drejt Kosovës”, tha Elezi në Kosova Today raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Kurti: Kërcënimet e sigurisë ndaj Kosovës po rriten

Paralajmëron eksperti i sigurisë: Mbi 700 serbë po stërviten ushtarakisht në kufi me Kosovën

Maqedonci pyetet për luftë: Sa të ekzistojë ideja për një “Serbi të madhe”, ka rrezik për Kosovën dhe rajonin

Konjufca: Qindra njerëz në Serbi po ushtrojnë dhe po përgatiten për një sulm në Kosovë