Lajme

Ymeri: Nëse takimi Bislimi-Petkoviq, ka rezultate pozitive, kushtet e Kurtit janë të pavlefshme!

07/02/2024 10:33
nga:Y I

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Ky takim i tyre mbahet një javë pasi dështoi të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me Bislimin dhe Petkoviqin vazhdojnë sot punën në zhbllokimin e marrëveshjes.

Në lidhje me këtë takim dhe a pritet ndonjë rezultat ka folur për “Gazeta Blic” drejtori i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri.

Ymeri tha se se vështirë të ketë përparim sa i përket zbatimit të marrëveshjes

Ai tha se nuk ka nguti as nga Kosova dhe as nga Serbia në lidhje me këtë çështje.

“Është vështirë të thuhet nëse do të ketë apo jo rezultat kur nuk dihet konkretisht se për çka do të flitet. Përgjithësisht ky takim thuhet se do të jetë i përqendruar të zhbllokimi i zbatimit të marrëveshjes, bllokim ky që BE-ja më së shumti ia atribuon refuzimit të Kosovës të nis procesin e themelimit të Asociacionit. Nëse ndërmjetësuesit vazhdojnë të mbësin në këtë pozitë atëherë nuk mendoj se do të ndodh gjë në këtë drejtim para zgjedhjeve në Kosovë. Nuk duket se ka ndonjë nguti as nga ana e Kosovës e as nga ana e Serbisë për ta zbatuar marrëveshjen. Rrjedhimisht vështirë se do të ketë përparim në këtë drejtim” deklaroi Ymeri për “Gazeta Blic”.

Ai tutje potencoi se nëse sot ka rezultate pozitive i bie që kërkesat e Kurtit të parashtruara javën e kaluar janë të pavlefshme.

Ymeri tha se vetë takimi në fjalë paqet një lloj hipokrizie të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Nëse sot ka rezultate pozitive atëherë i bie që kërkesat e Kryeministrit të shtruara javën e kaluar, e pa të plotësimin e të cilave Kurti tha se nuk ka zbatim të marrëveshjes, janë të pavlefshme dhe fjalë që i merr era. Në këtë drejtim vet takimi i Bislimit më Petkoviq paraqet një lloj hipokrizie të Qeverisë së Republikës së Kosovës marrë parasysh që KM Kurti refuzoi ta takoj Vuçiqin javën e kaluar pikërisht duke u thirrur në këto kërkesa që pala serbe duhet t’i plotësojë. Tash 6 ditë pas Bislimi po e takon Petkoviqin pa pas asnjë lëvizje drejt plotësimit të kërkesave” deklaroi ai në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.


Visar Ymeri- Drejtori i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.

/Gazeta Blic/

Sot në Bruksel takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Bislimi dhe Petkoviq