Shteti i Kosovës viteve të fundit ka qenë cak i sulmeve kibernetike, sipas ekspertëve të kësaj fushe, shtetet të cilat e sulmojnë vendin tonë me sulme kibernetike janë shtetet armike siç është shteti i Serbisë dhe shteti i Rusisë.
Në një prononcim dhënë për Gazeta Blic profesori i shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë Besnik Qehaja, ka treguar për sigurinë e Kosovës nga sulmet kibernetike, sulmet e tilla që kanë ndodhur kohëve të fundit dhe ekspertët e kësaj fushe që kemi në dikasteret shtetërore për siguri kibernetike.
“Kosova ka bërë përparime në mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike gjatë 23 viteve të fundit, por avancimi i teknologjisë dhe digjitalizimi në shumë institucione, kanë krijuar një diapazon të gjerë për hakerët dhe keqdashësit që të gjejnë, mundësi për sulme kibernetike të vazhdueshme në shumë fusha. Sidomos spiunazhi është një kërcënim i madh, pasi dihet që Kosova është në një luftë digjitale me Serbinë dhe Rusinë, të cilat shohin një mundësi për destabilizimin e vendit duke bërë propagandë ndaj popullsisë dhe sulme ndaj sistemeve qeveritare”, tregoi ai.
Sa ka investuar vendi jonë në infrastrukturën e informacionit dhe sigurisë në sistemet kompjuterike?
“Kosova, së bashku me institucionet e huaja ka investuar në infrastrukturë, por sfidë mbetet stafi për mirëmbajtje dhe përgjigje në kohë reale ndaj sulmeve që ndodhin çdo minutë. Një disavantazh është edukimi dhe vetëdijësimi i punonjësve në sistemet tona që të mos bien pre e sulmeve, pasi targeti gjithmonë janë njerëzit pa përvojë dhe përmes tyre arrihet qëllimi në nivele më të larta”, theksoi ai.
Si është duke i menaxhuar shteti i Kosovës sulmet kibernetike?
“Me aq staf sa kemi në dispozicion, jemi duke i bërë ballë sulmeve në një masë optimale, por në të ardhmen duhet investuar në resurse humane me inxhinierë të talentuar që të përballen me ndryshimet teknologjike që po ndodhin çdo ditë, ku sistemet brenda vitit pësojnë ndryshime në teknologji dhe infrastrukturë”, tha ai.
Qehaja kujton kohën e trazirave në qytetin e MitrovicëS vitin e kaluar, ku sipas tij shtetet armike të Kosovës, Serbia dhe Rusia përdorin propagandë për të krijuar bindje se mund të ketë luftë të ardhshme në vendin tonë.
“Sulmet po ndodhin për shkak të problemeve politike me Serbinë, ku lufta për informacion është vendimtare. Sidomos në kohën e trazirave në Mitrovicë, metodat e shtetit serb dhe Rusisë shihen si armë kryesore për marrjen e informacioneve nga komunikimet qeveritare kur planifikojnë aksione dhe vendime. Gjithashtu, shteti serb bën propagandë, një metodë shumë e sofistikuar e Rusisë, që përdoret kundër Kosovës për të krijuar një besim se do të ketë luftë në ditët në vijim, qëllimi i së cilës është frikësimi i investitorëve të huaj dhe popullsisë pakicë serbe”, theksoi dekani i shkencave kompjuterike dhe inxhenierisë.
A tregohen të gjitha sulmet kibernetike që sulmojnë institucionet tona?
“Sulmet kibernetike ndodhin gati çdo ditë ndaj institucioneve të Kosovës, jo vetëm tri, por ato mbahen të fshehta për të mos krijuar panik. Sidomos sistemet bankare, janë një target i rëndësishëm për të krijuar panik tek popullata. Kur sulmet janë me pak dëme, ato mbahen të fshehta, rikuperohen dhe tentohet të mësohet nga to për të mos ndodhur përsëri. Kundrejt një fluksi të madh të sulmeve ndaj institucioneve tona, zyrtarët përgjegjës, sidomos ata të ASHI – Agjensisë së Shoqërisë së Informacionit, janë duke bërë një punë të mirë në mbrojtjen e sistemeve tona elektronike”, potencoi ai.
Sa janë duke ndërmarrë masa, organet kompetente shtetërore në parandalimin e kësaj dukurie?
“Siç shihet, sistemet në Kosovë nuk kanë pasur ndërprerje të theksuara, siç ndodhi në Shqipëri. Kjo tregon që jemi duke i bërë ballë sulmeve, por duhet investuar në resurse humane që koha e përgjigjjes për sulme dhe rikuperimi i tyre të jetë në kohë 24/7. Numri i vogël i stafit në këtë dikaster është një problem, dhe gjasat janë që në të ardhmen të mos mund t’i bëjnë ballë sulmeve, sidomos në kohët e trazirave në Mitrovicë, ku stafi përgjegjës punon deri në 48 orë pa ndërprerje”, tha tutje ai.
Qehaja apelon tek Qeveria e Kosovës, të zhvillojë trajnime dhe sisteme të intelegjencës, për të mbikqyrjen e sistemeve të Teknologjisë Informative në vendin tonë.
“Qeveria duhet të investojë në trajnime dhe sisteme inteligjente që punojnë në mënyrë të pavarur, në mënyrë që faktori njeri të mos jetë gjithmonë i pranishëm në mbikëqyrje, pasi është e pamundur që të kemi aq shumë staf të Teknologjisë së Informacionit (IT-ve) që të monitorojnë çdo proces në sistemet e IT- ve për gjithë Kosovën”, tha ai.
Sa kemi ekspert të fushës së sulmeve kibernetike në institucionet shtetërore në Kosovë?
“Në Teknologjinë Informative (IT) është esenciale që sistemi të mbrohet kur çdo aplikacion dhe çdo nën sistem mirëmbahen nga stafi i (IT’ve) në mënyrë të duhur dhe në nivele të larta. Shumica e sulmeve janë nga brenda dhe është e pamundur që niveli i lartë të monitorojë çdo nën sistem. Për shembull, komunat që kanë qasje direkte në komunikim dhe rrjet qeveritarë. Në disa komuna punohet vetëm me një IT help desk apo tavolinë ndihmëse, gjë që është e pamjaftueshme. Kjo sfidë është në gjithë botën, dhe për këtë Kosova ka shumë talentë që punojnë në Shtetet evropiane dhe amerikane në distancë. Ata kanë përvoja të mira dhe mund të shfrytëzohen të punojnë edhe në Kosovë, duke krijuar politika të mira të pagesës, fleksibilitetit, etj., në mënyrë që këta talentë të kontribojnë në mbrojtjen e sistemeve digjitale në Kosovë”, përfundoi profesori i shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë Besnik Qehaja për GazetaBlic.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në hapjen e Qendrës Shtetërore trajnuese për Siguri Kibernetike, ka treguar rëndësinë e krijimit të kësaj qendre për një të ardhme me hapësirë të sigurtë kibernetike. Sipas tij trajnimet dhe edukimi i profesionistëve të teknologjisë është një rrugë përparimtare ndaj kërcënimeve kibernetike.
“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë, është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që u nevojten për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike. Andaj është nder dhe kënaqësi që gjendem para jush sot këtu, e bashkë me juve për të shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën që po e ndjek edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike me të sigurtë”, theksoi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kujtojmë se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në hapjen e Qendrës Shtetërore trajnuese për Siguri Kibernetike, theksoi se sulmet kibernetike janë çdo herë më të shpeshta dhe synimi është që përmes kësaj Qendre të trajnohen institucionet e sigurisë që t’i bëjnë ballë çdo sulmi të natyrës kibernetike.
“Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, theksoi ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Eksperti i sigurisë kibernetike Abazi muaj më parë për Gazeta Blic, ka deklaruar se çështja e sulmeve kibernetike për punëtorët e sektorit publik mund të parandalohet duke mos pranuar çdo link dhe e-mail.
“Dukuria e sulmeve kibernetike mund të luftohet në disa forma, e para është shumë e rëndësishme që janë trajnimet dhe ngritja e vetëdijes për sigurinë kibernetike, sidomos ndaj zyrtarëve publikë të cilët duhe të kenë kujdes se çfarë njoftimesh apo e-mail ju dërgojnë ata dhe në qfarë linke ata klikojnë”, deklaroi Abazi.