Lajme

Kryeziu për Asociacionin: Disa gjëra, ndonëse të padëshirueshme duhet t’i pranojmë, sepse janë kompromise

06/25/2024 19:46
nga:Y I

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se këto takime ndonëse janë të padëshirueshme, janë të detyrueshme.

Kryeziu duke iu referuar Asociacionit ka thënë se disa gjëra ndonëse janë të padëshirueshme, duhet të përfundohen, pasi ka kompromise, duke shtuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është tradhti kombëtare.

Sipas Kryeziut, gabimi është që liderët politikë në Kosovë kauzat kombëtare i bëjnë kauza elektorale.

“Këto takime janë të detyrueshme, Kurti duhet ta dijë se disa çështje janë të padëshirueshme për neve, por duhet t’i përfundojmë, se janë kompromise, nuk janë tradhti kombëtare, nuk janë situata që do prodhojnë dicka tjetër, jo vetëm Kurti por gjithë liderët politikë në Kosovë kauzat kombëtare i bëjnë kauza elektorale”, ka deklaruar Kryeziu.

Nesër, për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel, për të zhvilluar një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja ka njoftuar se palët fillimisht do të takohen me përfaqësuesit evropianë, e pastaj liderët e dy vendeve së bashku./RTV Dukagjini/