Lajme

Basha: Është turp që masat janë ende, do të jenë njollë e zezë për BE-në – duhet të hiqen sa më parë

06/25/2024 14:10
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për pritjet për heqjen e masave të BE-së, duke i quajtur ato si të padrejta.

Sipas tij, masat kanë qenë të padrejta dhe s’është dashur të vendosen, por që thotë se ato do të jenë njollë e zezë për BE-në.

“Masat nuk është dashur të vendosen pasi kanë qenë të padrejta. Rregullimin shtetëror e bën Republika e Kosovës dhe marrë parasysh që kryetarët e komunave shkojnë nëpër godinat e tyre, marrë parasysh që është përdorur si mashë për të na disiplinuar për të mos shkuar kryetarët mendoj se ka qenë e padrejtë, shto më tepër këtu që Serbia nuk e ka marrë asnjë masë asnjëherë, kështu që ato nuk është dashur të vihen fillimisht por meqenëse e kanë bërë këtë gabim BE-ja, mendoj se do të jetë një njollë e zezë e BE-së këto masa. Patjetër që duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundur”, thotë deputeti.

Lidhur me dëmin që është bërë nga vendosja e masave ndaj Kosovës, Basha thotë se ndikimi ka qenë zero, pasi mjetet për vitin 2024 janë derdhur në buxhetin e shtetit.

“Këto masa në të vërtetë humbje financiare s’kanë bërë sepse për vitin 2024 të gjitha mjetet veçse janë derdhur në buxhetin e Republikës dhe të gjitha ato projekte janë realizuar, s’ka pasur asnjë ndikim financiar, zero. Për vitin e ardhshëm sidoqoftë mund të ketë, mirëpo meqenëse BE-ja tani po rekomandon që të hiqen, atëherë nuk do të ketë ndikim”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Deputeti vlerëson se është turp që janë masat ende dhe s’mund të lidhen me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq në Bruksel dhe sipas tij s’ka asnjë arsye që masat të qëndrojnë ende.

“Masat është për turp që janë aty, atë nuk mund ta ndërlidh me asgjë tjetër përveçse duhet të hiqen sa më shpejt edhe ndoshta edhe t’i kërkojë falje Republikës së Kosovës për këto masa, për shkak se ne nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi shkaktuar kurrfarë tensioni, për më tepër të gjitha veprimet që i ka bërë qeveria e kryeministrit Kurti vetëm çka e kanë shtensionuar situatën në veri dhe tani e kemi një situatë të qetë atje. Pra sikur t’i kishim dëgjuar këta, ndoshta tensionet do të ishin më të mëdha. Arsyeja e veprimeve tona ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe kjo po e dëshmon që ka edhe qetësi atje, për shkak se kemi qenë në ndjekje të kriminelëve, prandaj masat nuk kanë asnjë arsye të qëndrojnë më aty”, deklaron deputeti i VV-së, Dimal Basha./Gazeta Blic/