Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në një prononcim për GazetaBlic ka folur rreth takimit që pritet të mbahet mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Ajo tha se nuk befasohet nga ky takim, pasi Kurti kishte deklaruar se nuk do të kthehet më në tavolinën e diskutimeve.
“Nuk na befasojnë këto veprime sepse pas çdo situate të krijuar dhe pas çdo tensionimi, këta kanë deklaruar që nuk do të kthehen në tavolinën e diskutimit, qoftë edhe zëvendëskryeministri i pari që është përcaktuar për dialog, qoftë edhe kryeministri, për këtë tash po shihet në bazë të vizitës së fundit së Lajçakut që pas asnjë kusht zoti Kurti po i kthehet tavolinës së diskutimit”, deklaroi ajo.
Deputetja theksoi se Kurti duhet ta bëjë publike agjendën e takimeve, teksa vlerësoi se qeveria aktuale është qeveria më jotransparente sa i përket dialogut.
“Mirëpo, fillimisht ai duhet ta bëjë të qartë para deputetëve, para opinonit të gjerë se cila është agjenda e takimit, sepse nuk ka drejtë zoti Kurti të shkojë të takohet pa e bërë publike agjendën e takimeve, e ka obligim kushtetues që të raportojë para Kuvendit të Kosovës, para deputetëve, në mënyrë që të dimë saktë agjendën, po ashtu pas takimeve duhet të vijë dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës sepse e kemi parë që që po zhvillohet një dialog pa parime, një dialog jo transparent. Kjo është qeveria më jotranspsrente, jo llogaridhënëse në raport me publikun, deputetët, Kuvendin e Kosovës, që është institucioni ku duhet të raportojmë. Dhe në fakt, atëherë po shtohen dilemat se çka po dialogon z.Kurti, njëjtë siç ka ndodhur në një konsultim paraprak ku ka pranuar marrëveshjen e Brukselit, ka pranuar aneksin e Ohrit, ka pranuar draftin e Asociacionit dhe atje po deklaron që e ka pranuar, ndërsa këtu edhe duke qenë se jemi në fundin e vitit dhe jemi në vit zgjedhor, po deklaron që nuk e ka pranuar Asociacionin”, tha Kadrijaj për Gazeta Blic.
Ajo shtoi se çështjet e Kurtit po dëmtojnë Kosovën me qytetarët e saj dhe sipas saj drafti i pranuar nga Kurti është drafti më i keq i mundshëm.
“Këto çështje dhe këto egzibicione të Kurtit po e dëmtojnë Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, sepse drafti i pranuar nga zoti Kurti ëstë drafti ma i keq i mundshëm edhe që do të ketë kompetenca ekzekutive dhe Kosovën do ta bëjë shtet jo funksional, ne kemi thënë se duhet të ketë dialog me parime, të respektohet Kushtetuta dhe integriteti i Republikës së Kosovës, dhe të mos ketë pushtet të tretë”, përfundoi deputetja e AAK-së Time Kadriaj./Gazeta Blic/


