Mbi 2 mijë aplikime për status të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë janë dorëzuar në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar.
Nga 2083 aplikime, 1650 prej tyre janë pranuar.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje nga ky Komision Qeveritar.
1560 femrave u është njohur statusi si viktimë e dhunës seksuale, ndërsa 90 veta janë të gjinisë mashkullore.
“Që nga fillimi i procesit të aplikimit me datë 05.02.2018 e deri më sot Komisioni ka pranuar gjithsej 2083 aplikacione, nga rastet e trajtuara 1650 aplikuesve u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale të luftës nga ta 1560 femra dhe 90 meshkuj”, thuhet në përgjigje.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Duda Balje, ka kritikuar punën e komisionit për këtë kategori.
Ajo ka deklaruar se nuk është e kënaqur me përcjelljen e Komisionit ndaj viktimave.
“Kemi pasur takime të shumta në Komisionin për vlerësim i cili është kompetent për verifikimin e statusit. Nuk jam e kënaqur me punën, kam bërë disa here ankesa edhe publikisht, për përcjelljen e komisionit ndaj viktimave, mënyrën se si janë sjellë ata me personin”.
Sipas Baljes, marrja në pyetje e viktimave është e papranueshme.
Ajo thotë se viktima nëse refuzohet nga Komisioni ka të drejtë ankese.
“Kemi dëgjuar që viktima ka bërë ankesa që i kanë thënë largo këmishën…etj e kjo për mua është e papranueshme. Dikush qe e ka quajtur vetën profesionist me bërë pyetje në këtë formë është e papranueshme, nëse viktima merr refuzim nga ta ka të drejtë me bërë ankesa”.
Balje aplikimin për statusin e viktimës e ka vlerësuar të rëndësishëm si fakt kundër Serbisë.
“Statusi i viktimës është një fuqi e jona qe me ju dalë përball Serbisë sepse ata e kanë bërë këtë dhe duhet ta pranojnë”, shprehet deputetja Balje.
Aplikimi për verifikimin e aplikacioneve do të vazhdojë deri në muajin maj 2025.
Personave që u njihet statusi i viktimës të dhunës seksuale të luftës marrin pension rreth 230 euro në muaj.
Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999./Front Online/