Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se duhet të ketë një hetim nga organet e rendit, për bisedën e shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojçiq.
Ajo dyshon se ajo bisedë është bërë pa dijen dhe pëlqimin e Kurtit, me një kriminel në kërkim.
“Është e vërtetë që publikimi i përgjimeve ka shpërfaqu shumë brutalisht shkallën e lartë të hipokrizisë së LVV-së. Mimoza Kusari Lila dyshoj të ketë diskutuar me një kriminel në kërkim, pa dijen dhe pëlqimin e kryeministrit Kurti. Këtu duhet të ketë një hetim, institucionet e rendit duhet ta hetojnë, si është e mundur që shefja e GP të partisë në pushtet të diskutojë me një njeri që është në kërkim dhe në listën e zezë të SHBA-ve”, thekson ajo.
Çitaku vlerëson se duhet të dihet se çfarë është biseduar në gjithë bisedën dhe për çfarë janë koordinuar, përtej atyre që dihen.
“Nuk e kemi dëgjuar bisedën e plotë, ne duhet të dimë për çfarë kanë biseduar, përtej asaj që dihet publikisht, imagjinoni për pagën minimale, për veteranët e UÇK-së, me një kriminel në kërkim. Duhet të ketë hetim, organet e rendit duhet të veprojnë shpejt dhe biseda duhet të shpaloset e plotë, ta dimë saktë se deri në ç’masë ka shkuar koordinimi dhe për çfarë temash, përtej atyre që dihen”, deklaron Çitaku./Gazeta Blic/