Deputetja e AAK-së Time Kadriaj në një prononcim për GazetaBlic , u deklarua rreth reagimit të Ambasadorit gjerman Jorn Rohde pas deklaratave të Ambasadorit të SHBA-Së në Beograd, Chris Hill, i cili ka thënë se s’mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE.
Ajo tha se është e drejtë e Kosovës të kërkoj njohje reciproke dhe se rruga evropiane duhet të jetë konform kësaj.
“Është e drejtë e Kosovës që me kërku që për njohje, të kem njohje reciproke dhe rruga evropiane duhet të jetë e trasuar në këtë frymë konform edhe marrëveshjeve në Bruksel, sepse kërkohet që të ketë njohje reciproke. Nëse marrëveshja është nënshkruar dhe pranuar nga palët ajo duhet edhe të zbatohet, aty duhet të përfshihet edhe njohja reciproke sepse ne po e shohim në fakt që serbia po e bën të kundërtën e asaj ka qka premtuar”.
Tutje ajo thotë se shteti i Serbisë pengon anëtarësimin si dhe, sipas saj po lobon për mundësi të ç‘njohjes nga vendet që Serbia konsideron mike.
“Serbia po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe po lobon edhe për ç’njohje nga vendet që Serbia i konsideron si mike duke organizuar dhe paguar organizata të ndryshme të cilat po luftojnë në këtë drejtim, prandaj unë mendoj që kusht për zbatimin e marrëveshjes duhet me qenë edhe njohja reciproke”, tha ajo.
Kadriaj rreth reagimit të ambasadorit Gjerman Rohde tha kjo duhet të jetë fryma evropiane.
“Kjo duhet me qenë fryma evropiane sepse duhet me kushtëzu Serbinë, se nëse dëshiron me qenë pjesë e familjes së madhe evropiane fillimisht duhet të ia jap pavarësinë Kosovës dhe më pas të pranohet si pjesë e bashkimit evropian”, përfundoi deputetja e AAK-së Time Kadriaj.