Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kurse, ndaj kësaj ka reaguar BE, derisa tha se Serbia s’do të bëhet anëtare pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se normalizimi do të jetë i mjaftueshëm kur të arrihet njohja reciproke.
“Normalizimi i raporteve Kosovë Serbi do të jetë i mjaftueshëm dhe i plotë për paqen në rajon vetëm atëherë kur ndodhë njohja reciproke. Prononcimet e Ambasadorëve të vendeve të ndryshme që shërbejnë në Serbi janë prononcime që kufizohen në avancimin e raporteve bilaterale dhe suksesin e tyre personal për çka edhe janë Ambasadorë”, shprehet ai.
Sipas Arifit, Kurtit e Bislimit i takon ta sqarojnë se pse askush s’po flet më për njohje reciproke e as marrëveshje gjithëpërfshirëse por gjithçka ka degraduar në Zajednicë.
“Përgjigja në çështjen se pse ka dy vite që miqtë tanë nuk po flasin më për njohje reciproke dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk është as në Ambasadën Amerikane në Beograd, as në Washington as në Bruksel por është në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. I takon Kurtit e Bislimit të sqarojnë se pse më askush nuk po flet as për njohje reciproke as për marrëveshje gjithëpërfshirëse por gjithçka ka degraduar vetëm për Zajednicë”, thekson ai për Gazeta Blic.
Ish kryenegociatori i dialogut vlerëson se s’ka rëndësi nëse neve na duket padrejtësi, pasi qeveria duhet të sigurojë përkrahje ndërkombëtare, për të cilën nuk ka bërë përpjekje.
“Çka është drejtë e çka është e padrejtë nga prizmi ynë është krejt irelevante. Drejtësi është kur Qeveria e Kosovës ka projekt politik dhe di të sigurojë përkrahje ndërkombëtare për realizimin e saj dhe realizohet ai projekt. Kjo Qeveri as që ka projekt politik por edhe nëse e ka pas ndonjëherë kurrë nuk ka bërë përpjekje që të sigurojë përkrahje ndërkombëtare dhe kësisoj është vështirë të pritet që ne do të gëzojmë një “drejtësi” të tillë çfarë ju po i referoheni”, thotë Avni Arifi./Gazeta Blic/
Hill: Serbisë s’do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE


