Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është bërë pjesë edhe zyrtarisht e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën, pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e tij lituanes, Laurynas Kasciunas.
Ky koalicioni e ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit.
“Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale. Sot në Bruksel me Ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën, duke u bërë kësisoj shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që e kemi dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Maqedonci ka theksuar se Kosova do të jetë përkrah partnerëve të saj kundër agresionit dhe dhunës.
“Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdoj të qëndroj krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka shtuar Maqedonci.