Euro2024

Bogdani: Rekordin tim e thyen Armando Broja, nuk duhet të na nënvlerësoni

06/13/2024 13:43
nga:E K

Nesër zyrtrarisht fillojnë emocionet e Kampionatit Evropian, ndërsa Shqipëria ballafaqimin e parë do ta ketë me Shqipërinë me datën 15 qershor.

Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse për herë të dytë në histori të saj si Kombëtare në Kampionate Evropiane dhe do të kenë punë të vështirë në fazën e grupeve aty ku në grupin që është cilësuar si “i vdekjes” do të ballafaqohet me skuadra si, Spanja, Italia dhe Kroacia.

Ish sulmuesi i kuqezinjëve Erjon Bogdani u deklarua për mediumin italian TMW.

Ai deklaroi se rekordin e tij pret se do ta thyejë Armando Broja, teksa paralajmëroi kundërshtarët e Shqipërisë.

“Kush mund ta thyejë rekordin tim te Shqipëria? Armando Broja, prototipi i sulmuesit modern. Ai është i ri, por përvoja nuk i mungon. Ka luajtur me Chelsean, me Vitessen në Holandë dhe ka krijuar eksperiencë në Premier League.

Është shumë i aftë, thjesht i mungon vazhdimësia. Disa dëmtime e kanë frenuar disi, por ka në dispozicion të gjithë kohën për ta marrë veten. Ai e mbron mirë topin. Është një futbollist i fortë dhe i fuqishëm, gjithashtu driblues. Është i frikshëm në duelet një kundër një”.

Më pas një koment për skuadrën e drejtuar nga Sylvinho dhe duelin e parë në grupin B kundër Italisë. Të shtunën e 15 qershorit (21:00) në “Signal Iduna Park”.

“Jemi një skuadër në rritje, gjë që na bën të pretendojmë më shumë. Sfida ndaj Italisë është e veçantë për të gjithë ne shqiptarët. Do të jem në Dortmund për të mbështetur nga afër Kombëtaren.

Ekziston një lidhje e thellë mes dy vendeve tona. Ne nuk jemi më Shqipëria dhe shqiptarët e viteve ’90, por Italia na ka ndihmuar gjithmonë sa herë kemi patur nevojë.

Tani është radha jonë për ta kthyer atë ndihmë, dhe po e bëjmë. Në Shqipëri po vijnë gjithnjë e më shumë italianë me kalimin e viteve.

Italia? Mund t’ia dalim, sepse jemi rritur e përmirësuar shumë me Sylvinhon. Mposhtëm Poloninë dhe Republikën Çeke. Jemi të fortë dhe kompaktë.

Të gjithë mbrojnë, kemi edhe futbollistë me fantazi, të cilët gjuajnë shumë mirë nga larg. Kemi disa goditës të shkëlqyer. Jemi një skuadër e kompletuar, të gjithë japin zemrën kur zbresin në fushë.

Grupi është shumë i ekuilibruar. Ata që nuk marrin shumë vesh nga futbolli na llogaritin të fundit, por kujdes! Do të vuajnë ata që do të na nënvlerësojnë…

Kjo Shqipëri nuk ka asgjë për të humbur, por kjo nuk do të thotë se do të zbresim në fushë të dorëzuar, përkundrazi. Skuadra ka qarkullim të mirë topi, gjithashtu është e aftë të sakrifikojë e vuajë”.