Lajme

Nga makiatot te guerilja BIA e çlirimi i Prishtinës, rrëfimi i ish-luftëtarit të UÇK-së

06/10/2024 13:55
nga:G B

Në një intervistë emocionuese në emisionin “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi, ndau kujtimet e tij për kohën e luftës dhe çlirimin e Prishtinës, në 25-vjetorin e këtij momenti historik.

Sopi ka treguar për sfidat e mbrojtjes së kryeqytetit, duke theksuar se UÇK-ja zgjodhi të mos zhvillojë luftime të hapura në Prishtinë për të shmangur masakrat ndaj popullatës civile nga forcat serbe.

“Edhe pse në Prishtinë pihej kafja makiato, ekzistonte një organizim i UÇK-së për të mbrojtur qytetin…,” ka thënë ai.

“Ne Prishtinën prej veprimeve luftarake e kemi kursyer, për shkak të masakrave të mundshme në popullatën civile. Sepse nuk kemi pasur forcë ta mbrojmë popullatën civile nga masakrat eventuale kur të gjitha njësitet policore, paraushtarake e militare serbe ishin të koncentrua më së shumti Prishtinë”, ka thënë Sopi.

Ai kujtoi gjithashtu momentet e luftimeve  me forcat serbe pak para çlirimit të Prishtinës në qershor 1999.

“Në qershor të vitit 1999, me grupe të vogla të stërvitura mirë, me përvojën  luftës të futemi në kryeqytet, në mënyrë të fshehtë. Në qytet kemi pasur njësinë BIA, njësi e UÇK-së, që e ka pasur përgjegjësinë organizative të veprimit të Prishtinë, gjatë luftës ata akne kryer punë logjistike… si dhe kanë vëzhguar lëvizjet e forcave të armikut.

Në fillim të qershorit së bashku me komandën e tyre, me komandën e brigadës 153 morëm vendim me lejen e zonë operative të Llapit, që ne të futemi në Prishtinë. U futëm dhe fillimisht në bazat që i kishe siguruar BIA dhe pas nënshkrimit të Kumanovës fillojnë ballafaqimet e para mes UÇK-së dhe forcave sporadike serbe, të cilat ishin të përqendruara nëpër kazerma e bodrume sepse kërcënoheshin nga bombardimet e NATO-s”, ka treguar Sopi.

“Më 11 qershor 1999, UÇK-ja vendosi flamurin kombëtar në të gjitha pikat e kryeqytetit dhe shpalli Prishtinën të lirë”, ka thënë Sopi.

Në fund, Sopi shprehu skepticizmin e tij ndaj Gjykatës Speciale të Hagës, duke theksuar se shumë dokumente dhe akuza janë formuluar në Beograd dhe Moskë.

“Nuk e di si ti besohet një gjykatë që shërbehet me dëshmi dhe dokumente të pushtuesit tonë. Shuam dokumente, akuza janë të formuluara në Beograd e Moskë”, ka thënë Sopi.