Zhvillimi i sektorëve të veçantë ekonomik është një proces i rëndësishëm në rritjen dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike të një vendi. Çdo sektor ka dinamikën e tij të veçantë, rëndësinë për ekonominë dhe potencialin për të kontribuar në rritjen ekonomike.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ku tha se çdo sektor ekonomik ka rëndësinë e vet, sipas afatit kohorë.
“ Politikat qeveritare janë një konglomerat i sektorve ku secili sektor e ka rëndësin e vet që duhet t’i marrë parasysh qeveria, por gjatë hartimit të strategjisë ekonomike vlerësohet rëndësia e tyre sipas afatit kohorë”, deklaroi ai.
Tutje ai vlerëson se për këtë periudhë kohore rëndësi duhet t’i jepet fuqizimit të prodhimit vendor.
“Në këtë periudhe kohore vlerësoj që rëndësi duhet të i jepet fuqizmit të prodhimit vendor, infrastruktura si ajo ligjore dhe teknike dhe tërheqja e investimeve te huaj. Një infrastrukturë ligjore rrit besueshmërinë tek investitorët e mundshëm, poashtu një infrastrukturë teknike si hekurdha dhe rrugët, rritë cilësinë njëherit vëllimin e bashkëpunimit tregtar”,tha ai.
“Fuqizimi i prodhimit ulë importin, potencialisht rrit eksportin, plotëson tregun vendor, mbushë arkën e shtetit me taksa nga prodhimi vendor, njëherit fuqizon biznesin vendor, punësim stabil dhe mirëqenien në vend. Ndërsa tërheqja e investimeve të huaja direkte duke i përfshirë edhe investimet nga diaspora të cilat do të ndikojnë në rritjen e likuiditetit financiarë, rrjedhimisht fuqizimin e aktivitetit biznesor, punësim dhe mirëqenie”, vazhdoi tutje ekonomisti.
Për në fund Kadriaj tha se, nuk duhet injoruar sektorët e tjerë ekonomik nga politikat qeveritare sepse ndikimi i tyre dërgon në fuqizim.
“Vlerësoj që duhet të jetë fokusi i politikave qeveritare pa injoruar sektorët tjerë, po ashtu vlerësoj që këta sektorë do të derivonin fuqizimin edhe të sektorëve të tjerë”, përfundoi njohësi i ekonomisë Mustafë Kadriaj.


