Fit&Sexy

Fushë Kosova me mungesë të personelit mjekësor, nënkryetari i Komunës: Shqetësuese ikja jashtë shtetit

06/11/2024 08:52
nga:N K

Viteve të fundit në Kosovë ka pasur ikje të mjekëve jashtë vendit, sidomos në vendet evropiane. Mungesë të stafit mjekësor pas liberalizimit ka edhe Komuna e Fushë Kosovës. Nënkryetari i kësaj komune, Besnik Osmani, në një intervistë për GazetaBlic, ka treguar se gjatë regjistrimit të popullsisë të këtij viti ka rritje të numrit të banorëve, por ka ka numër të vogël të personelit mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

“Ndër vite ka një trend që mund të quhet i zakonshëm, për neve ka qenë shumë e veçantë për të kuptuar reagimi se pas liberalizimit të vizave, por edhe pas liberalizimit të tregut që po ndodhë në shumicën e shteteve evropiane. Si numra vazhdojnë ende të jenë të vogël sepse kemi vetëm dy mjekë edhe dy infermierë nëse tregojmë për vitin 2024, por për neve janë pak shqetësuese paralajmërimi apo informatat që i marrim, shumë më tepër numra se kaq të cilat janë të interesuar dhe janë në procedurë të rregullimit të dokumentacionit, duke kërkuar natyrisht një vend pune të ngjashëm por me pagesë më të mirë jashtë Kosovës”, theksoi ai.

Sa banorë ka pasur qyteti i Fushë Kosovës në regjistrimin e popullësisë në vitin 2011?

“Ne kemi një situatë të veçantë në Komunën e Fushë Kosovës sepse numri i mjekëve dhe infermierëve shkon në proporcion me numrin e banorëve zyrtarë që ka një komunë. Meqenëse në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 kishim diku 34 mijë banorë dhe aktualisht numri veç se është dyfishuar dhe regjistrimi i popullsisë që ka ndodhur këtë vit ka treguar që ne nuk do të jemi më pak se 64 mijë banorë, ne kemi një numër shumë të kufizuar të personelit mjekësor me të cilin operojmë në komunën tonë”, deklaroi nënkryetari i komunës Osmani.

“Sipas statistikave të vitit 2011, ne kemi pasur rreth 140 persona staf përfshirë edhe stafin administrativ të shoferëve, të pastruesve dhe menaxhmentit. Numri i mantelbardhëve ka qenë diku rreth 70 deri 75 % gjatë viteve që i bie janë diku rreth 90 personel staf të mantelbardhëve që kanë shërbyer. Faktikisht me 90 persona ne ju ofrojmë shërbime mjekësore sot rreth 70 mijë banorëve në Komunën e Fushë Kosovës”, tha tutje ai.

A ka pritje të hapjes së konkursit për punë në pozitën e mjekëve?

“Po presim që pas normalizimit të regjistrimit të popullsisë të marrim numrin adekuat të stafit dhe kemi bërë disa krahasime me disa komuna të ngjashme p.sh kemi komunën e Rahovecit e cila nuk i ka 65 mijë banorë në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011 i ka 56 mijë banorë dhe ata aktualisht vazhdojnë të kenë rreth 190 persona shëndetësorë”, vazhdoi ai.

“Faktikisht, ne tani mund të bëjmë konkurse vetëm për punëtorë që munden të largohen me buxhetin aktual të vitit 2024. Ne presim që Qeveria e Kosovës, gjatë muajit shtator dhe muajit tetor për përgatitjen e buxhetit, ku ne do të kemi një buxhet për këto vende pune për vitin 2025 dhe në muajin janar neve do të na vie mundësia që menjëherë të marrim stafin mjekësor që na nevojitet. Kemi 2 fshatra të cilat operojnë vetëm me një ndërrim pune dhe staf të kufizuar e cila ka nevojë të operojë me dy ndërrime”, potencoi Osmani.

Sa Qendra të Mjekësisë Familjare janë në komunën e Fushë Kosovës?

“Kemi qendrën e Emergjencës që kemi staf mungesë dhe kemi tri fshatra ku kemi objektet ku mund të hapen Shtëpitë e Shëndetit, por me mungesë të stafit vazhdojnë të mos përdoren. Kemi një Qendër kryesore të Mjekësisë Familjare, kemi edhe një QKMF më të madhe në Komunën e Fushë Kosovës, për shkak të shtimit të popullatës dhe kemi QKMF në gjitha fshatrat përpos atyre që nuk janë funksionale për shkak të numrit të stafit, në total janë rreth 20 njësi mjekësore të ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, deklaroi ai.

“Momentalisht jemi në fazë të prokurimit edhe për një qendër të re në Fushë Kosovë me buxhetin e Komunës dhe të njëjtin kohë kemi aplikuar në Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e një Qendre Kryesore Mjekësisë Familjare tjetër dhe jemi në procedurë e sipër që të jetë në buxhetin e kësaj ministrie për vitin e ardhshëm”, përfundoi nënkryetari i komunës së Fushë Kosovës Besnik Osmani.

/GazetaBlic/