Lajme

Quinti rreth vendimit të Qeverisë për tokat në veri: Është shkelur ligji gjatë procesit të shpronësimit

06/06/2024 12:28
nga:G C

Shtetet anëtare të QUINT-it, zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-ja kanë reaguar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok – komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, shprehin keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës për 30 maj për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në reagimin e tyre thuhet se ndonëse Qeveria nga shpronësimi ka përjashtuar disa parcela private është dashur që të presë të gjitha procedurat gjyqësore që të gjykohen plotësisht të gjitha rastet.

“Ne kemi ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar. Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës janë hequr nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk ka pritur që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykohen plotësisht para se të marrë këtë vendim”, thuhet në reagim.

Në komunikatë thuhet se është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin.

“Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe mbajtësve të interesit të respektohen plotësisht. Ne kemi ndarë shqetësimet tona me Qeverinë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe e kemi inkurajuar qeverinë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”, thuhet tutje në reagim.

QUINT-i i ka bërë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë.