Lajme

Masat ndëshkuese – Eric Gordy komenton qëndrimin e Kurtit, Vuçiqit dhe Borrellit: Vështirë që situata do të ndryshojë

06/06/2024 11:21
nga:G C

Eric Gordy, ekspert për Evropën Juglindore, ka folur rreth masave ndëshkuese të Kosovës nga Bashkimi Evropian, ku Borrell pritet që javën e ardhshme ta dorëzojë raportin dhe të merret një vendim.

Gordy për GazetaBlic thekson se, është shumë e vështirë të jesh optimist nëse këto masa do të largohen dhe se Kosova ka kryer detyrimet për t’i larguar ndëshkimet e BE-së.

“Ashtu si çdo pyetje në lidhje me standardet dhe kushtet, kjo nuk është aq çështje krahasimi i gjërave me një kriter objektiv, por më tepër është një përllogaritje politike. Pra, nuk ka të bëjë me atë që ka bërë Kosova, por me atë që Evropa percepton se Kosova ka bërë, dhe çfarë Evropa mendon se Kosova do të bëjë në të ardhmen. Këtu është e pamundur të bësh një parashikim pa bërë disa supozime shumë të mëdha se si mendojnë disa njerëz të tjerë, por është e vështirë të jesh optimist”, tha Gordy.

Gordy shton se, kryeministri Kurti nuk po arrin ta bëjë maksimumin që i kërkohet dhe sipas tij, asgjë më pak se maksimumi nuk e kënaq Evropën.

“Nga këndvështrimi i Kurtit, ai nuk po arrin të bëjë maksimumin që i kërkohet, ndërsa asgjë më pak se maksimumi duket se nuk e kënaq Evropën. Ndërkohë, gjestet e përshkallëzimit dhe shfaqjet simbolike të sovranitetit e rrisin popullaritetin e tij. Pra, ai nuk ka një nxitje për të kërcyer shumë për Evropën”, tha Gordy.

Ndërsa për Vuçiqin thotë se, strategjia e tij për të krijuar incidente nuk do të ndryshojë.

“Nga këndvështrimi i Vuçiqit, strategjia e tij për të krijuar incidente të rrezikshme dhe më pas për të kërkuar lëshime nga Evropa për t’i qetësuar ato duket se po ia del mbanë dhe kështu ai nuk ka shumë motivim për ta ndryshuar atë”, shton Gordy.

Gordy komentoi edhe këndvështrimin e Borrellit, që sipas tij, ai nuk po sheh prova që Kurti dhe Vuçiq do të gjejnë kompromise për zgjidhjen e disa elementeve të konflikteve.

“Nga këndvështrimi i Borrell-it, ai po pyet veten nëse Kurti dhe Vuçiç duket se janë të aftë të arrijnë një kompromis që do të zgjidhë disa nga elementët e konfliktit, dhe ai nuk po sheh shumë prova që janë”, tha Gordy.

“Nëse e shikojmë në këtë mënyrë, parashikimi më i sigurt është ndoshta se situata nuk do të ndryshojë”, shtoi ai për GazetaBlic.