Bisedë të montuar e ka quajtur kryeministri Albin Kurti, bisedën e shefes së deputetëve të partisë së tij, me Milan Radojiçiq, i cili gjendet në listën e zezë të SHBA-ve dhe është përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Lidhur me këtë, zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti po mundohet që ta bëjë më të lehtë skandalin për militantët e tij.
Sipas saj, qeveria Kurti ka bërë skandale më shumë se të gjitha qeveritë e deritanishme dhe VV vazhdon propagandën.
“Kryeministri po mundohet si çdoherë që të bëjë me lehtë të kapërdishëm edhe këtë skandal për militantët e tij. Kjo qeveri brenda këtyre tre viteve të qeverisjes ka prodhuar skandale sa krejt qeveritë e mëhershme, por VV vazhdon ta ketë të fuqishme makinerinë e propagandës që tash duke qenë në pushtet e ka më të lehtë ta ushqejë”, thekson ajo.
Pantina vlerëson se Kusari nuk është e vetme përgjegjëse për bisedën me Radojiçiq, pasi VV po e bën kurban pa dhimbje dhe se atë nuk e ka bërë në vete.
Ajo pyet se pse nuk u shkarkua Kusari si shefe e GP të VV-së, kur u mor vesh kjo bisedë.
“Ndërsa, sa i takon bisedës së zonjës Kusari me një të akuzuar për vrasje dhe në listë të zezë të ShBA-se, mendoj se nuk është vetëm përgjegjësi e zonjës Kusari të cilën po e bën kurban pa dhimbje Vetëvendosja, por përgjegjësia është e Kryeministrit sepse e para ajo se ka bërë këtë bisedë as kokë në vete e as për interesat e saj personale, dhe e dyta pse nuk e shkarkuan nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar në momentin kur u mor vesh se ka pas një bisede të tillë. Dhe me problematike është çështja se çfarë kanë biseduar dhe cili është rezultati i kësaj bisede”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


