Shqipëria ka arritur një fitore të rëndësishme në ndeshjen miqësore ndaj Lihtenshtajnit.
Kuqezinjtë mposhtën Lihtenshtajnin me rezultat solid prej 3-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Llogarinë e golave e hapi Broja në minutën e 32’të të takimit gol i cili i dha epilogun pjesës së parë.
Jasir Asani realizoi një ‘perlë’ me një goditje të bukur nga gjuajtja e lirë me të nisur pjesa e dytë në minutën e 47’të të takimit.
Golin vendimtar e shënoi, Ernest Muçi pas një aksioni të bukur të Shqipërisë.
Pas ndeshjes për “SuperSport” foli Jasir Asani.
Në klub keni vuajtur, por ndihmën po ua jep kombëtarja dhe po ia shpërbleni me gola…
Klubi nuk më ka ndihmuar, por stafi teknik dhe të gjithë futbollistët këtu më kanë ndihmuar shumë. Te klubi nuk kam marrë minuta, por jam stërvitur shumë dhe po vazhdoj të punoj për të bërë një paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Europian.
Pamë që ishit në formë, i çliruar dhe që dëfrehet në fushë…
Çdo ndeshje është e vështirë, qoftë edhe miqësore. Ne i vlerësojmë të gjitha njësoj dhe futemi në fushë për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të fitojmë. Fitoret në këto miqësore na rritin vetëbesimin për të shkuar drejt Gjermanisë me mentalitet fituesi.
Goditjet e dënimit nga e djathta duket se i keni marrë ju…
Është vendim i trajnerit. Kushdo që i ekzekuton, unë, Bajrami apo ndonjë tjetër, punojmë shumë për të nxjerrë më të mirën. Kemi grup shumë të vështirë dhe po përgatitemi shumë, ndaj besoj se do të bëjmë gjëra të mira.
Si ndiheni me Brojën në sulm?
Çdo ndeshje na rrit vetëbesimin, pasi na pret një ndeshje shumë e madhe ndaj Italisë. Formacionin e vendos stafi, por kushdo që zbret në fushë, ne do të jemi të gjithë një. Kjo është fanellë shumë e rëndë dhe jemi gati të japim maksimumin për fitore.
A ju falënderoi Muçi për asistin?
Po, më falënderoi (qesh)…