Lajme

Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi

05/31/2024 12:59
nga:Sh R

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 31 majit të vitit 1999.

“31 Maji shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, Safetit nga familja e Heroit Isa Boletini, dhe Ejup Kasumi nga Strofci i Vushtrrisë”, tha shefi i AAK-së.

“Sot, me kryetarin e Aleancës në Mitrovicë, Qazim Nimani, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri. Po ashtu, ndaluam për të shprehur ngushëllime në familjen Salihu, pas humbjen e djalit të tyre, Qlirimit”, shtoi Haradinaj.

Ai ka kujtuar edhe sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut, thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, sot kujtojmë sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut, që 25 vjet më parë u ekzekutuan pa mëshirë vetëm pse ishin shqiptarë në tokën e tyre. Në përpjekje për të mbrojtur familjen, ra heroikisht edhe i zoti i shtëpisë Selatini, luftëtar i dalluar i Brigadës 142 “Mehë Uka”. Kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, duke frymëzuar brezat e ardhshëm me dashurinë për atdheun dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare. Paqe e lavdi për të rënët. U jetësoftë ëndrra e tyre!”, është shprehur Haradinaj.