Sporti

Lamtumirë mes lotësh e talentit brazilian, së shpejti nën urdhrat e Ancelottit (video)

05/31/2024 12:44
nga:Mergim Rreci

Talenti brazilian, Endrick, nuk mundi t’i përmbante emocionet në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Palmeirasit, kundër San Lorenzos, për raundin e fundit të fazës së grupeve të Libertadores.

Sulmuesi 17-vjeçar, që do ta vijojë karrierën të gjigantët e Realit, mori duartrokitje të vazhdueshme nga tifozët në “Allianz Parque”, ku u shfaq mesazhi “Shihemi më vonë”, në një nga tribunat. Përballë atmosferës së krijuar, lojtari i ri nuk i ka mbajtur dot lotët.

Endrick, i cili ishte titullar, e la lojën gjatë pjesës së dytë, mori një përqafim nga Abel Ferreira, shkoi në dhomat e zhveshjes, por përfundoi duke ndjekur pjesën tjetër të takimit nga pankina. Më pas pati një përshëndetje olimpike rreth fushës.

“Jam i lumtur dhe i trishtuar në të njëjtën kohë, sepse i jam shumë mirënjohës Palmeirasit për gjithçka që ka bërë në jetën time. Është e vështirë të flas tani, por jam shumë i lumtur. Kam qarë dhe do të përpiqem të mos qaj më”, tha sulmuesi.

“Tifozët të mos më harrojnë kurrë, unë kurrë nuk do t’i harroj. Ata do të jenë gjithmonë në jetën time. Duke parë që ata krijuan një këngë për mua… kur i dëgjova për herë të parë duke thënë “Endrick është terrori”, u gëzova shumë. Shpresoj të takohemi sërish”, shtoi ai.

Endrick nuk do të luajë më në ndeshjen e ardhshme të “Verdão” në kampionat, të dielën. Ai do t’i bashkohet të hënën ekipit për ndeshjen e radhës në Copa América, më pas do t’i bashkohet Realit të Madridit.