Lajme

Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e tokave në Leposaviq e Zubin Potok

05/31/2024 12:12
nga:Sh R

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje në mënyrë elektronike të premten e 31 majit, ku janë miratuar disa vendime.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka njoftuar se ka miratuar vendimin për shpronësimin e tokave në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut.

“Vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Vitin e kaluar, serbët lokalë në fshatin Dren të Leposaviqit në veri, protestuan për tri ditë me radhë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë vendimin për shpronësimin e tokës në atë zonë, të marrë në mes të janarit 2023.

Gjithashtu, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve në shumën prej 577,900.00 eurosh në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e Programit “Masat Preventive, Intervenime Emergjente nëpër komuna të ndryshme”.

Vendime të tjera janë marrë për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e gjykatave të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për të kërkuar nga presidentja e Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Projektin “Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

Për më tej, është miratuar vendimi për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë”.