Lajme

“Fillimi i ndarjes së rrugëve mes Osmanit dhe Kurtit”/ Rugova: Kapitulli i saj në LDK ka mbaruar

05/30/2024 15:55
nga:G B

Ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka komentuar përplasjen e presidentes me qeverinë.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Asociacioni s’ka krijuar përplasje por mos koordinimi mes Kurtit e Osmanit është prej kohësh.

Përpos mes tyre, Rugova thotë se mospajtime të mëdha ka edhe mes Osmanit e Gërvallës, derisa kjo e fundit ka afërsi më të madhe me Kurtin.

“Ka kohë që ka mos koordinim dhe diskrapanca në qasje dhe veprime politike në relacionet presidencë – qeveri. Asociacioni nuk ka krijuar përplasje vetëm mes Osmanit dhe Kurtit, por ka mospajtime të mëdha edhe në relacionin Gërvalla – Osmani për shumë aspekte të politikës së jashtme dhe hapave të ardhshëm”, vlerëson ai.

Ish deputeti thekson se kjo u konfirmua nga vetë presidentja me deklarimin e saj, sipas tij, aspak diplomatik.

“Shihet një afrim i hapur në mes Kurtit dhe Gërvallës dhe anashkalim jo i paqëllimshëm i Osmanit. Këtë e konfirmoi vetë Osmani në një deklarim aspak me gjuhë diplomatike. Këto veprime mund të shihen edhe si fillim i ndarjes së rrugëve mes Osmanit dhe Kurtit. Në këtë lontekst, veprimet e bashkë kryetarëve të Guxo aktualisht janë më afër me Kurtin sesa me Osmanin”, potencon Rugova për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e kthimit të Osmanit në të ardhmen në LDK, ai e përjashton atë, pasi sipas tij ka mbaruar kapitulli i saj me këtë parti dhe s’ka hapësirë reale për të në LDK.

“Osmani e ka mbaruar kapitullin me LDK. Pas tërë ndodhive dhe veprimeve të saj në raport me LDK nuk shoh hapësirë reale në perspektivën e saj politike në LDK. Përveç këtyre argumenteve të ditura tani, ajo edhe për një periudhë kohore është presidente dhe nuk i lejon kushtetuta angazhime politike”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/