Lajme

“Donika Gërvalla e Vjosa Osmani duhet të shkarkohen – një presidente e tillë më mirë të mos ekzistojë”

05/30/2024 16:11
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se letra e ministres Gërvalla për KiE-në ka qenë lojë e papjekur dhe ka pritur që ajo të shkarkohet pas kësaj.

“Letra e ministres Gërvalla ka qenë lojë e papjekur, veprim tejet populist që është dashur të hetohet nga komision hetimor parlamentar dhe ajo të shkarkohet, të detyrohet kryeministri ta shkarkojë. Krejt qeveria këtu është e rrezikshme për shtetin, prandaj kemi insistuar që të kemi zgjedhje që ta shpëtojmë Kosovën nga kjo qeveri”, shprehet ai në një intervistë për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me përplasjen e presidentes me Qeverinë për mos koordinimin për këtë letër, Berisha thotë se Osmani është dashur të shkarkohet nga Kuvendi pasi po reagon që ta shpëtojë veten nga     Qeveria.

Sipas tij, është më mirë që të mos ekzistojë një presidente e tillë.

“Presidentja po i bën tani reagimet e saj sepse po ndjen se ajo është në nivel të përgjegjësisë për të reaguar që ta shpëtojë vendin nga qeveria tani. Meqenëse ajo është e hendikepuar dhe nuk e bën dot këtë, sepse e dimë fuqinë politike të saj, e dimë si i kanë shkuar ato vota asaj, pasi ishte në krye të listës, andaj është personi më i pafuqishëm, kështu që unë kam pritur iniciativë nga Kuvendi që ajo të shkarkohet, ajo duhet të shkarkohet, meqenëse nuk mund ta shpëtojë vendin, duhet kërkuar që ajo të shkarkohet sepse është në shkelje të interesit shtetëror dhe Kushtetutës për shkak të mandatit që ka. Kështu që një presidente e tillë është më mirë të mos ekzistojë fare”, deklaron deputeti Berisha./Gazeta Blic/