Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, në një intervistë për GazetaBlic, ka treguar për mbijetesën e pensionistëve në Kosovë dhe sa është duke ndërmarrë masa Qeveria aktuale në kuadër të çmimit të pensioneve.
“Nëse flasim vetëm për të ardhurat personale që i marrin nga Qeveria, ata kishin vdekur të gjithë sepse nuk mund të mbijetojnë. Po e shihni koston vjetore që është dyfishuar çmimi i çdo gjëje dhe në anën tjetër pensionistët kanë shpenzime shtesë, për shkak se janë në moshën e tretë që të gjithë prej tyre kanë një shpenzim mesatar mujor që i kalon mbi 50 euro. Nëse kanë pension bazikë ata marrin 100 euro, nëse kanë pension të përgatitjes së mesme i marrin 190 euro dhe atë me superiore i marrin nga 265 euro, por ata as me 260 euro nuk mundem për të mbijetuar me shpenzimet nga fillimi deri në fund muajit”, deklaroi kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës.
Gashi sa i përket mbijetesës së pensionistëve në Kosovë, ka theksuar se nuk ka mbijetesë për pensionistët pa ndihmën e familjarëve të tyre.
”Falë solidaritetit mes gjeneratave dhe një tradite patriarkale për të ndihmuar të afërmit mbijetojnë pensionerët, përndryshe s’ka mundësi mbijetese. Shembull nëse do të kishim raporte sociale familjare, siç i kanë në perëndim, ne çdo ditë në Kosovë do të kishim gjetur nga 10-15 pensionistë të vdekur rrugëve”, potencoi ai.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës ka krituar Qeverinë e Kosovës për shkeljen e dy neneve të ligjit të cilat janë për skemat pensionale.
“Qeveria nuk ka marrë kurrfarë masa dhe janë më tepër se 4 vite që pensionet nuk janë rritur fare, d.m.th është bërë shkelja e nenit 13 dhe 14 të ligjit mbi skemat pensionale. Indeksi i kostës jetësore apo inflacioni Qeveria nëse ka të ardhura buxhetore për të ngritur pensionet, kjo Qeveri as nuk e ka bërë as deklarimin e buxhetit, vlerësimin e indeksit të kostës jetësore gjë që do të thotë se e ka shkelur të njëjtën ligj tri herë dhe atë për katër vite me radhë ku nuk janë rritur pensionet që del se kjo kategori është dëmtuar në mënyrë drastike, vdekjeprurëse në nivel të jesh apo mos të jesh sepse nuk mund të jetosh me 100 euro”, përfundoi kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës Nijazi Gashi.
/GazetaBlic/


