Lajme

KOMF ngreh alarmin – “Shërbimet për fëmijët po mbyllen! Alarm për veprim për nivelin qendror e lokal”

05/30/2024 12:38
nga:G B

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë me mesazhin “Shërbimet për fëmijët po mbyllen! Alarm për veprim për Komunat, Qeverinë dhe Kuvendin”, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, ky aktivitet ka për qëllim t’i bëjë një thirrje për veprim Komunave, Qeverisë dhe Kuvendit lidhur me gjendjen e rëndë të ofrimit të shërbimeve sociale sa i përket financimit të tyre për vitin 2024.

Ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendje më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale. Në anën tjetër, Komunat nuk po arrijnë të financojnë shërbimet sociale përkundër që shërbimet sociale janë decentralizuar që nga viti 2009. Si pasojë, shërbimet e domosdoshme për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve po mbyllen.