Lajme

Një vit nga trazirat në veri, Osmani: Mosndëshkimi i inkurajoi për agresionin në Banjskë

05/30/2024 08:40
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e njëvjetorit e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga strukturat kriminale serbe gjatë protestave të Zveçanit ka thënë se autorët e këtij sulmi të cilët ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi, të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në një postim në rrjetin social “X”, Osmani ka thënë se mosndëshkimi i autorëve të këtij sulmi i ka inkuruajuar ata për sulmin në Banjskë.

“Autorët, të cilët ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Mosndëshkimi vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia”, ka shkruar Osmani.

Tutje e para e vendit ka thënë se ky ishte një sulm ndaj NATO-s teksa ka përsëritur se mosndëshkimi duhet të marrë fund.

“Mosndëshkimi duhet të marrë fund! Të gjithë detyrohemi ndaj ushtarëve të rinj që humbën gjymtyrët dhe jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë, sepse ata vendosën jetën e tyre në vijën e paqes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve”, ka vijuar Osmani.

Ndryshe, në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë.

Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.