Lajme

“Jam shumë falënderuese”, Spahn vlerëson mikpritjen e kosovarëve për vullnetarët e Korpusit të Paqes

05/29/2024 16:54
nga:G C

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtoresha e Korpusit të Paqes së SHBA-së, Carol Spahn, ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen e ngrohtë që populli i Kosovës i ka bërë vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

Në konferencë për media, ajo ka vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen e komuniteteve kosovare që kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për këta vullnetarë.

“Populli i Kosovës i ka pritur vullnetarët tanë të Korpusit të paqes në shtëpi dhe komunitete e tyre, dhe për këtë arsye jemi shumë mirënjohës. Ata kanë ndihmuar në shtytjen përpara të projekteve të udhëhequra nga komuniteti dhe kanë mbështetur të rinjtë dhe gratë e Kosovës për të përfituar shkathtësi në punësim”, ka thënë Spahn.

Ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së organizatave dhe familjeve kosovare që kanë mirëpritur vullnetarët.

Spahn gjithashtu ka falënderuar presidenten Osmani për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe përkushtimin ndaj partneritetit të ngushtë me SHBA-në.

“Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë duke shërbyer momentalisht në shkolla dhe organizata të ndryshme, dhe kanë gjetur një shtëpi larg shtëpisë së tyre në Kosovë. Më shumë se 220 vullnetarë amerikanë kanë pasur përvoja të shkëlqyeshme dhe janë të përkushtuar për të ndarë njohuritë e tyre mbi bukurinë dhe ngrohtësinë e popullit të Kosovës. Kur të kthehen në SHBA, ata do të mbesin të lidhur me Kosovën për tere jetën e tyre”, ka shtuar Spahn.

Ndërsa, Osmani ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për bashkëpunimin me SHBA-në.

Ajo ka deklaruar se Korpusi i Paqes është një nismë e presidentit Kenedy dhe i cili shënon 10-vjetorin e themelimit.