Taulant Seferi është në mesin e futbollistëve të ftuar nga trajneri Sylvinho për ‘Euro 2024’.
Futbollisti nga Kumanova ka shkëlqyer me paraqitjet e tij në kualifikueset dhe gjithashtu në ndeshjet me skuadrën e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Seferi është një forcë e shtuar tek kuqezinjtë, për faktin se përveç lojës së tij të mirë në aspektin ofanziv, ai e ndihmon shumë skuadrën edhe në mbrojtje.
Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se ftesa për ‘Euro 2024’ është një ëndërr e kthyer në realitet, për të cilën është jashtëzakonisht i lumtur.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares për ‘Euro 2024’, kjo ishte një ëndërr e imja që po bëhet realitet. Me shumë punë dhe angazhim, besoj që do ta bëjmë krenar kombin shqiptar”, tha fillimisht ai.

Tutje, ai u pyet edhe grupin shumë të vështirë në të cilin është Kombëtarja e Shqipërisë, me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Seferi tha se nuk i frikësohen grupit, sepse edhe tek Shqipëria ka shumë kualitet dhe atmosferë pozitive mes futbollistëve.
“E kemi një grup shumë të fortë, por kjo na motivon të punojmë edhe më shumë dhe të jemi me këmbë në tokë. Mos të harrojmë, edhe në kemi një skuadër kualitative dhe një atmosferë shumë të mirë. Shkojmë për të dhënë më të mirën, ne shpresojmë shumë“, përfundoi Seferi.

/GazetaBlic Sport/


