Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se avokati Sokol Mëngjesi është futur në intubim.
Gjendja e shëndetësore e avokatit paraqitet e rënduar për shkak të hematomave që ka në kokë.
Aktualisht ai ndodhet i intubuar në reaminacionin e spitalit të Traumës.
Tre persona kanë dhunuar pedagogun e drejtësisë dhe avokatin e ish-kryeministri Sali Berisha, Sokol Mëngjesin paraditen e kësaj të mërkure në Tiranë. Avokati u godit me sende të forta në mes të ish-bllokut.
Pedagogu i drejtësisë, njëherazi dhe avokat i ish-kryeministrit Berisha u qëllua me levë teksa po dërgonte djalin në kopsht
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 08:50 minuta në rrugën “Pjetër Bogdani”, në ish-Bllok.
Ai u vizituar nga Kreu i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Fatmir Braka, Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, vajza e ish-kryeministrit Argita Malltezi dhe avokati Genc Gjokutaj.
Dyshohet se pas këtij akti dhune qëndron një çështje pronësie.
Agresorët nuk kanë qenë të maskuar në momentin që i kanë bërë pritë avokatit.
Në pyetje janë marrë disa persona të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që policia ka bërë me dije se ka identifikuar një nga tre autorët.
Hetimet vijojnë teksa policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë, si të kopshtit edhe të biznesve që ndodhen pranë me qëllim kapjen e autorëve dhe zbardhjen më pas të motiveve të ngjarjes.