Lajme

“Tkurrja e popullsisë duhet të jetë alarm për institucionet”/ Paralajmëron demografi: Statistikat e ardhshme pritet të jenë shokuese

05/29/2024 14:52
nga:N K

Demografi Besim Gallopeni në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua rreth regjistrimit të popullsisë dhe rënies së përqindjes për këtë vit të regjistrimit të popullsisë së Kosovës. Ai thotë se rënia në këtë vit të regjistrimit të popullsisë është më e madhe sesa 8% i përmendur, mirëpo të dhëna zyrtare nuk ka ende nga ASK-ja.

“Rënia është shumë më e madhe sesa 8%, sepse në vitin 2011 ishin pak më pak se 1 milion e 800 mijë banorë, kurse tani sipas vlerësimeve dhe të dhënave preliminare supozohet të jetë mbi 1 milion e 500 mijë banorë, mirëpo akoma nuk kemi të dhëna zyrtare nga institucioni përgjegjës, në këtë rast ASK-ja”, deklaroi ai.

Tutje, ai tregon faktorët kryesor ndikues të rënies së përqindjes të regjistrimit të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, e po ashtu përmend edhe faktorin natyror të shtimit të popullsisë.

“Arsyet pse ka ardhur deri te rënia apo zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të popullsisë në Kosovë, ka shumë faktorë, por ndër faktorët kryesorë janë lëvizjet mekanike, gjegjësisht migrimet e jashtme, por natyrisht impakt kanë edhe migrimet e brendshme nga fshati në qytet dhe anasjelltas, nga qytetet e vogla drejt qyteteve të mëdha. Por sigurisht që faktor tjetër shumë i rëndësishëm është edhe faktori natyror apo rënia e shtimit natyrorë të popullsisë në Kosovë sidomos në këtë dekadën e fundit dhe që të dy këta faktorë kanë bërë që ne të kemi një tkurrje të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe kësisoj natyrisht që nuk e kemi më atë numër që e kishim në 2011-tën rreth 1 milion e 800 mijë banorë, por kemi rreth 1 milion e 500 mijë banorë”, tha ai.

Po ashtu, Gallopeni tregon edhe pritjet e tij personale në rënien e numrit të popullsisë, ku tha se maksimumi pritej 1.5 milion banorë duke iu referuar si shkallë dëshirore e sipas tij realisht doli në atë rezulatat.

“Pritjet e mia në bazë të vlerësimeve që unë vazhdimisht i bëj në këtë drejtim, kanë qenë nga 1 milion e 300 mijë deri në 1 milion e 500 mijë maksimumi, madje për ta kuptuar të gjithë qytetarët 1 milion e 500 mijë banorë iu kam referuar si shkalla dëshirore, pra ajo që e dëshirojmë me qenë. Mirëpo, ndryshe në terminologji përdoret si vlerësimi në shkallën më të lartë të arritjes së numrit të përgjithshëm të popullsisë, pra mund të jetë deri në 1.5 milion banorë. Tani aty doli edhe realisht në shkallën dëshirore, pra dhe rezultati i regjistrimit të popullsisë ky që e kemi tash preliminar”, theksoi ai.

“Mirëpo personalisht e kam pritur që kjo rënie ka me ndodh dhe kjo tkurrje e numrit të përgjithshëm të popullisë ka me ndodh në këtë regjistrim dhe kështu ka ndodhur, madje pritjet e mia janë që ky numër të jetë akoma më i vogël sesa që realisht e kemi tani me të dhënat preliminare”, vazhdoi tutje ai.

Sipas demografit Gallopeni, Kosova vitet e ardhshme mund të futet në një krizë demografike dhe se institucionet përkatëse duhet të ndërrmarin diçka sepse në rast të mos intervenimit statistikat demografike do të cilësohen si shokuese si dhe i quan rrugë negative drejtimet demografike në Kosovë.

“Sigurisht edhe për vitet e ardhshme, Kosova futet në një krizë demografike dhe për këtë duhet të tërheqim vëmendje e politikbërësve dhe vendimarrësve që sa më parë të mbledhim ekspertë të fushës përkatëse demografi dhe shkencave tjera sociale në mënyrë që të hartojmë politikat popullative, që sadopak këtë rend negativ apo këtë rrugë negative që e ka marrë drejtimet demografike në Kosovë, nëse jo të ndalet të paktën të reduktohet apo të zvogëlohet. Dhe nëse kjo nuk ndodh edhe për vitet e ardhshme nga institucionet përkatëse të Kosovës, atëherë me të vërtetë regjistrimi tjetër i ardhshëm i popullsisë, do ta nxjerr Kosovën me statistika demografike shokuese, më keq shumë sesa që jemi tani në këtë regjistrim të popullsisë”, theksoi ai.

Për në fund, Gallopeni tha se ky regjistrim duhet të konsiderohet si një alarm për insitutcionet e Kosovës në mënyrë që të ketë reflektim dhe të krijohen hartimet politike të popullsisë.

“Unë po uroj dhe po shpresoj që ky regjistrim i popullsisë është vetëm një alarm për institucionet në mënyrë që me reflektu dhe sa më parë me shku drejt hartimit të politikave, strategjive adekuate që mbrojnë apo sigurojnë një lëvizje të qëndrushme të rendeve demografike në përgjithësi”, përfundoi demografi Besim Gallopeni./Gazeta Blic/