Lajme

Hamza: Rritja e inflacionit nënkupton ngritjen e pensioneve

05/29/2024 07:42
nga:G B

Zahir Hamza, avokat i shoqatës së pensionistëve, vlerëson se pensionet duhet të rriten duke parë ngritjen e inflacionit.

Hamza, i ftuar në Edicionin Special në Klan Kosova, mes tjerash përmendi një nen që specifikon këtë, teksa tha se mësimdhënësit e kanë fituar këtë të drejtë në gjykata, duke u bazuar pikërisht në këtë nen.

“Neni 14 thotë që varësisht prej kohës së jetesës të ngritën edhe pensionet. Ne e dimë shumë mirë që vitet e fundit, saktësisht viti 2022, është inflacioni deri në 12 për qind, ku thuhet që të rriten prej kohës së jetesës, koha e jetesës është rritur, duhet pak të rriten”, u shpreh Hamza.

“Mësimdhënësit kanë fituar këtë të drejtë në gjykata, duke u bazuar pikërisht në këtë nen, kontrata kolektive buron pikërisht prej nenit 14, varësisht prej kohës së jetesës, të rriten edhe të kompensohen lidhur me inflacionin vjetor”.

Ai pret që qeveria do të ketë reflektim pozitiv në këtë çështje, pasi sipas tij, nuk duhet të ngarkohen gjykatat pasi kompensimi u takon duke u bazuar në ligjin mbi skemat pensionale.