Lajme

Bajqinovci: KFOR-i s’ka negociuar për terroristët në Banjskë, ata ikën nën breshërinë e plumbave

05/28/2024 15:20
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Serbia po ledhatohet nga BE, ndërsa Kosova është nën masa.

“Unë mendoj se BE deri më tash ka treguar se ka standarde të dyfishta karshi Kosovës sepse ne kemi masa, ndërsa Serbia ledhatohet edhe pas sulmit të Banjskës, ndërsa kur jemi te marrëveshja e Brukselit, Serbia po e shkel atë duke tentuar që ta pengojë Kosovën që të anëtarësohet në të gjithë mekanizmat, duke përfshirë edhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku Serbia përmes letrës tentoi ta pengojë Kosovën. Po ashtu e kemi edhe në KiE dhe në shumë mekanizma të tjerë të cilët Serbia po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Brukselit dhe s’kemi asnjë reagim nga BE. Dhe këtë e themi me plot përgjegjësi se sulmi i Banjskës ka treguar se Serbia po ledhatohet, pra ka standarde të dyfishta nga BE, për shkak se nuk asnjë pasojë për Serbinë, ka vetëm një deklaratë nga Parlamenti Evropian që dënon sulmin në Banjskë, ndërsa pasoja juridike s’ka deri më sot. Ndërsa Kosova që është pro vendeve demokratike e Serbia që në çdo sondazh është pro ruse, është e ledhatuar”, thotë ai.

Deputeti ka folur dhe për raportin e ICG-së për KFOR-in dhe sulmin e Banjskës, derisa thotë se nuk është e vërtetë që ka pasur negocim për largim të terroristëve.

“Ajo është një OJQ ndërsa KFOR-i është institucion dhe KFOR-i reagoi dhe është një e pavërtetë sepse KFOR-i s’ka negociuar sepse s’ka qenë fare aty. Aty në front kanë qenë vetëm Policia e Kosovës ndërsa KFOR-i ka qenë mbrapa. Andaj është një e pavërtetë e madhe që KFOR-i ka negociuar me terroristët që të largohen sepse ju e dini se si kanë ikur ata, nën breshërinë e plumbave, në atë gjendje nuk bëhet negocimi, andaj raporti s’ka qenë fare i vërtetë”, thekson deputeti për Gazeta Blic.