Lajme

Osmani nga Sarrazin kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

05/28/2024 12:42
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën, në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani dhe Sarrazin përgjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë.

Ajo, në veçanti ka theksuar mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dalura nga ky proces.

Në të njëjtën kohë, presidentja Osmani ka shtruar nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.