Sporti

Urim Statovci: E meritojmë Superligën, besoj shumë te grupi – mund ta mposhtim Feronikelin 74

05/27/2024 11:34
nga:E K

Prishtina e Re arriti të fitonte barazhin e Ligës së Parë ndaj Dinamos pasi ishin më të saktë në penallti.

Fituesi nuk u arrit të shpallej në 120 minutat e ndeshjes ku rezultati ishte i barabartë 3-3 me ndryshim të vazhdueshëm të rezultatit në favore të të dy skuadrave, shkruan GazetaBlic Sport.

Sulmuesi i Prishtinës së Re, Urim Statovci për “GazetaBlic Sport” tha se kjo ndeshje ishte tejet e vështirë duke qenë se skuadra e tij e pa vetën dy herë në disavantazh, por mendon që ekipi ka kualitetin e duhur për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës.

“Realisht ishte një ndeshje shumë e fortë, ku fatkeqësisht goli im nuk mjaftoi që të përfundonim ndeshjen pa penallti. Por me një ndeshje si ajo, ku ishim dy herë në disavantazh dhe arritëm të rikthenim gjithçka, ishte me të vërtetë një ndeshje e mirë ku arritëm të tregonim karakterin fitues dhe nuk u dorëzuam asnjëherë.

Sa i përket ndeshjes finale, besoj shumë te grupi i lojtarëve që kemi, sepse me të vërtetë kemi një skuadër shumë cilësore dhe besoj se meritojmë të jemi pjesë e Superligës.

Sa i përket klubit ku jam tani, ndjehem mjaft i lumtur sepse i kemi të gjitha kushtet e plotësuara nga kryesia e klubit dhe nuk na ka munguar asgjë. Për momentin nuk mendoj të ndryshoj skuadër sepse jemi bërë si familje dhe kemi punuar shumë për t’u bërë pjesë e Superligës. Besoj shumë se do t’ia dalim edhe kundër Feronikelit 74”, tha Statovci për GazetaBlic Sport.