Lajme

LVV kujton me video futjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, sulmon disa analistë

05/26/2024 13:24
nga:G B

Sot bëhet një vit prej kur kryetarët shqiptarë të katër komunat veriore morën detyrat. Ata më pas do të futeshin në objektet komunale me ndihmën e policisë, gjë e cila i acaroi raportet e Kosovës me ndërkombëtarët dhe për pasojë solli disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.

Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur ta publikojë një video për të treguar se “institucionet e Republikës të vendosura ngadhnjyen” e se “cendosmëria për kushtetushmëri, rend dhe ligj triumfoi” në veri të vendit.

Për ta bërë këtë, LVV ka ndarë pjesë të deklaratave të disa analistëve nëpër studio televizive.

“Sot bëhen një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat. Grupe të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi bën sulme të përditshme ndaj Policisë, gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it me qëllim pengimin e punës së kryetarëve në këto komuna dhe luftimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, institucionet e Republikës të vendosura ngadhnjyen. Vendosmëria për kushtetushmëri, rend dhe ligj triumfoi. Në anën tjetër, asokohe në shumë studio televizive, nga shumë zëra ngjallej frikë, panik e dorëzim. Por, fotografia e sotme në veri të vendit është përgjigja më e mirë për ata zëra”, shkruan partia në pushtet.