Lajme

Nikki Haley: Do votoj për Trumpin në zgjedhjet presidenciale në SHBA

05/23/2024 09:42
nga:Y I

Ish-kandidatja republikane për nominimin presidencial në SHBA, Nikki Haley, ka bërë të ditur se do të votojë për Donald Trump, i cili ishte rivali i saj në zgjedhjet paraprake partiake, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ajo theksoi gjithashtu se Trump duhet të punojë për të fituar votuesit e saj, raporton Zëri i Amerikës.

“Unë do të votoj për Trump. Por i qëndroj asaj që thashë kur u largova nga gara parësore – Trump duhet të kontaktojë njerëzit që votuan për mua, jo thjesht të supozojë se ata do të votojnë për të tani. Dhe unë sinqerisht shpresoj se ata do ta bëjnë këtë”, tha Haley në Institutin Hudson në Uashington.

Ishte gjithashtu paraqitja e saj e parë publike që nga largimi nga gara për nominimin presidencial republikan dhe miratimi i saj i parë publik për Trump.

Haley, e cila ishte ambasadorja e SHBA në OKB në administratën Trump, u tërhoq nga gara dy muaj më parë, por më pas ajo nuk e mbështeti Trumpin, por përkundrazi e akuzoi atë për krijimin e kaosit, për mosbashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë dhe pyeti nëse, në moshën 77-vjeçare, ai mund të ishte president.

Nga ana tjetër, Trump e ka kritikuar apo ofenduar shpesh Haley-n, madje duke e quajtur atë “tru pule”, sipas “Zërit të Amerikës”.