Franca është e shqetësuar nga operacionet e fundit të policisë kosovare që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare kursimore në veri të Kosovës.
Kështu thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Francës, ndërsa paralajmëron se veprime të reja të njëanshme, kontribuojnë në përshkallëzim të tensioneve.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se shteti ynë kujdeset që serbët e veriut të jetojnë me të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë qytetarët tjerë.
Tutje, ai shton se nuk është e drejtë që në disa zona të sundojë ligji, ndërsa në disa të tjera të ketë më pak ligjshmëri.
“Fillimisht, shteti ynë është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset që serbët e veriut të jetojnë me të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë qytetarët e tjerë. Nuk është e drejtë që në disa zona të sundojë ligji, ndërsa në të tjera të ketë më pak ligjshmëri. Kjo nuk do të ishte barazi për qytetarët e Kosovës”, thotë ai.
Agusholli potencon se zyrat e bankave postare kursimore janë paralajmëruar disa herë për mbylljen e tyre për shkak të çështjes së dinarit, por nuk ka pasur sukses.
“Ne si shtet kemi vendosur që zyrat e bankave postare kursimore duhet të mbyllen. Ato janë paralajmëruar disa herë për mbylljen e tyre për shkak të çështjes me dinarin, por pa sukses. Çfarë duhet të bëjmë ne, sipas shtetit francez?”, shtoi ai për Gazeta Blic.
Deputeti thekson se për të shkaktuar tensione atje duhet të ketë banda kriminale, ku shton se qytetarët e thjeshtë nuk janë aspak të interesuar për tensione dhe gjëra të tilla.
“Për të shkaktuar tensione atje, duhet të ketë struktura të bandave kriminale. Unë konsideroj se sot në veri ka shumë pak banda, dhe qytetarët e thjeshtë nuk janë aspak të interesuar për tensione dhe gjëra të tilla”, përfundoi ai për GazetaBlic.


