Lajme

“Më ndihmoni po humbas gjak”, theret me thikë shqiptarja në Angli, e shtrirë në trotuar kërkon ndihmë

05/21/2024 22:35
nga:G B

Një grua e cila dyshohet se është shqiptare, është therur me thikë, jashtë një shkolle fillore në Angli.

Viktima u ther menjëherë pasi kishte lënë fëmijët e saj në shkollë, raporton Mail Online, transmeton Klankosova.tv.

Ajo u dëgjua duke bërtitur: “Më ndihmoni, më ndihmoni… po humbas gjak”.

Policia e Bedforshire konfirmoi se ajo u dërgua në spital, me plagë të rënda pas sulmit pranë një shkolle në Dunstable Road, Luton, pak pas orës 8 e gjysmë, mëngjesin e së martës.

Sipas policisë, një burrë është arrestuar pak pas ngjarjes, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik ende. Policia tha se ai është dërguar në paraburgim.

Banorët e zonës, thanë se viktima kishte pasur probleme me një burrë që supozohet të jetë ish-bashkëshkorti i viktimës. Sipas banorëve, ai ishte paraqitur në adresën e saj dhe ishte bërë i dhunshëm.

Një grua tha se e kishte parë viktimën të shtrirë në trotuar, duke kërkuar ndihmë.

“Ajo po qante dhe po bërtiste: Më ndihmo, më ndihmo. Ajo gjithashtu po humbiste gjakun”, tha dëshmitarja.

“Unë njoh njerëz afër vendit ku ajo jeton dhe mesa duket është me origjinë nga Shqipëria. Ajo jeton me fëmijët e saj që shkojnë në shkollën lokale. Ajo u sulmua menjëherë pasi i kishte lënë”, tha një grua në zonë.