Lajme

Suspendimi i gjykatësit që e la në liri Enver Sekiraqën, avokati: Vendim i ngutshëm

05/21/2024 17:29
nga:G B

Avokati Arber Jashari e ka quajtur të ngutshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor për ta suspenduar gjykatësin Agim Kuqi, i cili në fillim të këtij muaji kishte vendosur që Enver Sekiraqën, të dyshuarin për vrasjen e policit Triumf Riza, ta linte të mbrohej në liri. Ky i fundit së fundmi u arratis.

Jashari thotë se ky vendim i KGJK-së do t’i frikësojë gjykatësit, të cilët sipas tij tash do të hezitojnë ta ndërprejnë ndonjë masë paraburgimi “se mund të perballet me pasoja disiplinore”.

“Vendimi për suspendimin e gjyqtarit Agim Kuqi, eshte i ngutshem. Pas ketij vendimi të KGJK-se, asnje gjyqtar s’ka me guxu me nderpre ndonjë masë paraburgimi nga frika, se mund të perballet me pasoja disiplinore. Gjyqtaret pergjigjen penalisht, ose i nënshtrohen procedures disiplinore vetem nese shkelin ligjin me qellim, në kembim te ndonjë perfitimi material, per veten ose tjeterin. Perndryshe është në natyren e punes se tyre, te gabojnë, prandaj jane disa instanca gjyqesore”, shkroi Jashari.

Avokati thotë se “gjyqtari Agim Kuqi(ose trupi gjykues), ka vepru në perputhje me dispozitat e KPP-se(366 par 1, pika 1.2) kur ia ka ndeprerë masen e arrestit shtepiak, te akuzuarit E.S. pa çka se ky e ka tradhetu besimin e gjykates”.

“Është në diskrecionin e gjyqtarit me i vlerësu provat dhe rrethanat e rastit, sipas bindjes se lirë.Pergjegjesinë per arratisje, e mban vet personi qe ka zgjedh mu arratise”, shkroi ai.