Lajme

Qytetarët ankohen për gjobat e larta në trafik, kanë ankesa dhe për policët

05/19/2024 21:53
nga:G B

Për dallim nga ekspertët që presin përmirësim të sigurisë në komunikacion, qytetarët kanë mendime të ndryshme dhe ankohen për lartësinë e gjobave.

Një drejtues i automjetit thotë se gjobat janë shumë të larta për standardin që e ka Kosova.

“Këto rregullat e reja janë të mirëseardhura për shumë qytetarë, por janë pak si të rrepta për standardin tonë se janë shumë të larta, por pa qenë të larta edhe vet personalisht nuk i kisha respektuar ndoshta se kisha thënë hajt se dënimet e vogla 50% më lirë, tash nuk ka, tash janë dënimet e rrepta duhet me pas kujdes, si në vijë të plotë, si të këmbësorëve, si në vozitje, kjo është një kujdes i mirë edhe për neve edhe për krejt.

Kjo është hera e dytë dhe e tretë shumë keq, se me kanë veç me 100 euro hahet diqysh ama kjo 500 euro është pak e lartë, duhet me pas kujdes mos me përdor telefonin, sa ndeshja po bëhet për shkak të telefonit. Duhet pasur kujdes sepse kjo shkon në xhepin tonë nuk shkon në gjepin e tjetër kujt, për standardin tonë katastrofë, për standardin tonë janë shumë të larta se rroga mesatare është 300 euro. Mirë do të ishte pak të ulen këto dënime, por tash kjo rregullore dhe këta e dinë më mirë, duhet me i thënë prapë faleminderit shtetit”, deklaron ai.

Një vozitës tjetër ka ankesa në Policinë e Kosovës.

Ai thotë se policia me çdo kusht po do t’i dënojë shoferët.

“I mirëpresim rregullat që i kanë qit, por janë edhe do rregulla pak më shumë për me i këqyr si kamionët vozitin në trakën e majtë na pengojnë neve me vetura më të vogla, trotinetat, motorët nëpër zebra, si biçikleta, si motori, si trotineti nuk guxon të kalojë në zebra, hipën d.m.th, duhet me zbrit me kalu. Neve si pjesëmarrës në komunikacion veç këqyrin me na dënu, falë Zotit i përmbahem rregullave, që 24 vite i bëj si shofer, krejt 4 dënime nuk i kam sepse i përmbahem rregullave sa të mundem. Dënime badihava shqiptarin pa e prek në xhep nuk e din çka është. Janë disa gjëra edhe më shumë me i këqyr, jo veç hajt, pe nget veturën shpejt hajt te dënoj, telefoni është luks 20-30 sekonda me qenë në vend të policisë nuk e kisha dënuar asnjë. Unë jam taksist, më thirr pasagjeri 20 sekonda mund të them jam i zënë ose për kaq vij, mesazhi është i rrezikshëm, dënimi për rrip është pak i lartë sepse për rrip e rrezikoj veten nuk e rrezikoj kërkon, kurse me telefon e rrezikoj edhe veten edhe tjetër kon”, shprehet qytetari tjetër.

Megjithatë, një vozitës tjetër mirëpret rregullat e reja në komunikacion.

Pavarësisht pse dënimet janë tepër të larta, ai mirëpret rregullat e reja.

“Pak shtrenjtë për kushtet tona, shtrenjtë është, rregullat janë rregulla ne i respektojmë dhe duhet t’i respektojmë. Sigurisht që duhet se po ka aksidente të shumta, mendoj që tash do ti respektojnë më shumë. Janë të larta por duhet se është nevojë, se ka shumë aksidente, shumë vdesin njerëzit rrugës, vetaksident, shpejtësia, moskujdesi”, shprehet qytetari./Gazeta Blic/