Lajme

Zyrtarja e LDK-së: Është për të ardhur keq në çfarë niveli ka rënë diplomacia e Kosovës!

05/16/2024 17:53
nga:Y I

Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me presidenten Vjosa Osmani, për dërgimin në KiE të letrës nga ministrja Gërvalla, për draft statutin e Asociacionit.

Kështu ka konfirmuar pak minuta më parë për “Gazeta Blic”, këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione” deklaroi Kupina për “Gazeta Blic”.

Në lidhje me këtë çështje kanë folur për “Gazeta Blic” nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zyrtarja e kësaj partie, Shqipe Pantina, tha se Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, që nga marrja e detyrës ka bërë vetëm skandale.

Pantina tha se është për të ardhur keq në çfarë niveli ka rëndë diplomacia e Kosovës.

“Qysh prej marrjes së detyrës së saj si Ministre e Jashtme zonja Gervalla veç gafa ka bërë e skandale ka prodhuar. Eshtë për të ardhur keq në çfarë niveli ka rënë diplomacia e Kosovës por edhe qeverisja në përgjithesi, pasojat e së cilës do i ndjejmë shumë gjatë” deklaroi Pantina për “Gazeta Blic”.


Shqipe Pantina, LDK!

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, sot i është drejtuar Këshillit të Evropës me një letër ku theksohet zotimi i Qeverisë së Kosovës, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asocacionit të Komunave të Kosovës.

Gërvalla tha se ky është një zotim serioz dhe i sinqertë.

/Gazeta Blic/

Gërvalla për letrën drejtuar Këshillit të Evropës: Është zotim serioz