Lajme

Me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve, seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit shtyhet për 24 maj

05/16/2024 13:14
nga:G B

Me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, avokatëve, Skender Musa dhe Arbnora Shefkiu është shtyrë seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit, e cila ishte planifikuar të fillonte sot  më 16 maj 2024.

Andaj, trupi gjykues ka planifikuar që më datë 24 maj 2024, duke filluar nga ora 10:00, të mbajë seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve të lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo është bërë e ditur, përmes një komunikate për medie të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri  Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.