Lajme

A mund ta shpërbëjë Kurti Kuvendin me PDK-në dhe minoritetet?

05/16/2024 15:08
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti i bëri ftesë opozitës për takim, por përgjigje pozitive mori vetëm nga PDK.

LDK e AAK e refuzuan ftesën e kreut të Qeverisë dhe nuk mendojnë të shkojnë as në një takim të ri me të.

Nga takimi me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefin e GP të kësaj partie, Abelard Tahiri, Kurti tha se është i gatshëm të diskutojë për zgjedhje dhe është i interesuar të takohet edhe me krerët e partive tjerave opozitare.

Por, LDK e AAK nuk kanë ndryshuar mendim sa i përket ftesës së kryeministrit.

LDK dje doli me qëndrim se refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë, duke shtuar se zgjidhja sipas tyre është dorëheqja e Kurtit dhe më pas shpërbërja e Kuvendit.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave. LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, tha ndër të tjera LDK në qëndrimin e saj.

Edhe AAK ka thënë se s’ka arsye për t’u takuar me Kurtin, derisa ka deklaruar se do të marrin pjesë në shpërbërje të Kuvendit, pasi Kurti të japë dorëheqje.

Kështu ka bërë të ditur dje sekretari i përgjithshëm i kësaj partie për Gazeta Blic.

“Qëndrimi i AAK-së është publik e i qartë. Ajo do ta mbështesë shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Qeverisë.

Prandaj nuk shohim asnjë arsye të takohemi për t’u bërë pjesë e një procesi që krijon perceptimin e “fajtorit kolektiv””, potencon ai.

Por, derisa Kurti nuk është shprehur i gatshëm për të dhënë dorëheqje, por i gatshëm për zgjedhje nëse dëshiron opozita, një tjetër mundësi mbetet ajo e shpërbërjes së Kuvendit me 2/3 e votave.

Kurti këtë mund ta bëjë përmes shpërbërjes së Kuvendit, nëse llogarit votat e PDK-së dhe të minoriteteve.

Për ta bërë këtë ai s’do të ketë nevojë për votat e LDK-së e AAK-së, derisa LDK numëron 16 deputetë e AAK tetë.

Mbetet të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në ditët në vazhdim.

I pyetur se a është i gatshëm për zgjedhje, Kurti sot tha se janë gjithmonë të gatshëm.

“Ne jemi gjithmonë gati. Përndryshe, nëse ata janë rehat, shkon mandati”, tha Kurti.

Lidhur me një mundësi të tillë, hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, thotë për Gazeta Blic, se VV me PDK-në dhe komuniteti joshumicë joserbe mund ta shpërbëjnë Kuvendin, nëse të gjithë votojnë pro tij.

“Aktualisht në bazë të kompozicionit politik të Kuvendit, është e qartë se LVV, PDK dhe komuniteti joshumicë joserbe kanë votat e nevojshme për ta shpërndarë Kuvendit me dy të tretat, gjithmonë duke aluduar se do të ketë përkrahje nga të gjithë deputetët e VV-së për këtë çështje, pasi ditëve të fundit kemi pasur deklarime nga deputetë të kësaj partie nuk e preferojnë një opsion të tillë”, shprehet ai,

Cakolli thotë se numri prej 84 deputetëve pro shpërbërjes së Kuvendit lë hapësirë të ngushtë manovrimi, pasi dështimi për t’u shpërndarë tani do të ishte mesazh që mandati do të përmbyllej deri në fund.

“Aktualisht nëse i marrim të mirëqenë numrat e deputetëve që kanë të gjitha këto parti, kemi të bëjmë me gjithsej 84 vota që lë një hapësirë mjaft të ngushtë të manovrimit, për shkak se dështimi për t’u shpërndarë në këtë momentum politik do të ishte një lloj mesazhi që mandati do të përmbyllej deri në fund, pasi është më se e qartë se partitë nuk preferojnë organizimin e zgjedhjeve në periudhë të dimrit apo mbase edhe në fillim vitin e ardhshëm”, deklaron Eugen Cakolli nga KDI për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kurti mund ta bëjë këtë pasi i kanë votat.

“Ata i kanë votat, sepse VV me Listën Guxo e minoritetet bashkë me PDK-në i bëjnë dy të tretat dhe s’kanë nevojë për AAK-në e LDK-në, përpos nëse ndonjë deputet i tyre nuk dakordohet, s’dëshiron që të votojë pro, mund të çalojë, përndryshe ata i kanë votat për shpërbërje të Kuvendit”, potencon ai.

Por, Lekaj shton se AAK s’është për shpërbërje të Kuvendit.

“Ne s’jemi për shpërbërje të Kuvendit dhe përderisa s’kemi një vendim tjetër, mbesim për këtë vendim”, thotë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

/Gazeta Blic/

Kurti: Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje, ne jemi gjithmonë gati